Prokurori, Shqipdon Fazliu, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, në mbledhjen e 259-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka prezantuar raportin tremujor (korrik-shtator 2024).
Për këtë tremujor, Fazliu tha se janë sekuestruar 11 milionë euro pasuri, përfshirë edhe banese, por që nuk kanë ndonjë rast të konfiskimit për çka tha se është aspekt negativ.
Fazli tha se për herë të parë “kemi përgjigje lidhur me shitjen e aseteve, duke thënë se janë bërë 138 kërkesa për shitjen e tyre”.
“E vetmja Prokurori që nuk ka pasur kërkesë për shitje të aseteve këtë tremujor është Prokuroria Speciale”, u shpreh ai
Ai shtoi se kanë pasur 28 kërkesa për shkatërrim të armeve.
Mirëpo, sipas tij aspekt negativ është se në disa Prokurori shumë asete i janë kthyer të pandehurve dhe kështu ose prokurorët nuk i kane bërë analizat e mira kur kanë sekuestruar atë pasuri ose gjyqtarët parapake kur kanë pranuar këto kërkesa.
“Një numër shumë i madh, me grabitje, kundër narkotikeve”, tha ndër të tjera ai.
Ai shtoi se kërkon nga disa prej kandidatëve për kryeprokurorë që edhe nëse zgjidhen në këto pozita, të vazhdojnë punën e koordinatorëve pasi është investuar edhe me trajnime dhe kanë arritur nivel të kënaqshëm të konfiskimit.
Maloku: Vetëm 33% e kallëzimeve penale në aktakuza për korrupsion, larg asaj që synojmë të arrijmë
Prishtinë-Jetish Maloku, anëtar i Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e 259-të, komentoi raportin 6 mujor të i Komisionit ad hoc mbikëqyrës për korrupsion dhe krimet ekonomike, të cilin e prezantoi prokurorja, Laura Pula
Maloku tha se 66% e kallëzimeve penale për korrupsion janë kryer me pushim apo hudhje të tyre, ndërsa vetëm 33% në aktakuza, çka sipas tij, është shqetësuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kjo nëse e sheh diçka s’është ne rregull me këto kallëzime penale. Është larg asaj që ne mendojmë që duhet të kemi një sukses”, u shpreh ai.
Pula, tha nëse shohim statistikat është shqetësuese, mirëpo sipas saj, meqenëse secila Prokurori e ka edhe Kryeprokurorin e vet kjo le të mbetet në menaxhimin e tyre. Pasi nuk mundet Komisioni t’i shtyj prokurorët të ngrisin aktakuza.
Ajo shtoi që shpreson që në raportin vjetor të ketë më shumë aktakuza se hudhje të kallëzimeve penale të korrupsionit. Ky raport u miratua nga Këshilli me 10 vota për dhe 2 abstenime