Një nga spitalet e fundit funksionale të Gazës veriore është evakuuar me forcë nga ushtria izraelite, thonë mjekët, pasi dhjetëra njerëz u vranë në sulmet ajrore izraelite që synonin zonën përreth objektit të kujdesit shëndetësor.
Eid Sabbah, kreu i departamentit të infermierisë në spitalin Kamal Adwan, tha se rreth orës 07:00 të së premtes, ushtria i dha administratës 15 minuta për të evakuuar pacientët dhe stafin në oborrin e saj
Trupat izraelite më pas hynë në spital dhe po largonin pacientët që kishin mbetur, sipas Sabbah.
Ushtria izraelite tha se nuk ishte në dijeni për sulmet në zonë dhe po shqyrtonte raportet për vdekjen e mjekëve, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Është e rrezikshme sepse ka pacientë në departamentin e ICU në koma dhe kanë nevojë për makina ventilimi dhe lëvizja e tyre do t’i vërë ata në rrezik”, shpjegoi Sabbah
“Nëse ushtria synon të vazhdojë largimin e këtyre pacientëve, ata do të kenë nevojë për automjete të specializuara”, shtoi ai.
Aktualisht nuk raportohet për të lënduar gjatë evakuimit.
Ndryshe, spitali Kamal Adwan ka qenë nën një bllokadë shtrënguese izraelite të vendosur në pjesë të Gazës veriore që nga tetori, kur ushtria tha se kishte nisur një ofensivë për të ndaluar Hamasin të rigrupohej atje.
OKB-ja ka thënë se zona është nën një “rrethim pothuajse total” pasi ushtria izraelite e kufizon shumë aksesin e dërgesave të ndihmave në zonë.
Ditët e fundit, administratorët e spitalit kanë lëshuar lutje të dëshpëruara duke bërë thirrje për t’u mbrojtur, pasi ata thonë se objekti është bërë rregullisht objektiv i bombardimeve dhe eksplozivëve izraelitë.