NATO tha të premten se do të rrisë praninë e saj në Detin Baltik pas sabotimit të dyshuar këtë javë të një kablloje elektrike nënujore dhe katër kabllove interneti, ndërsa anëtarja e aleancës Estonia nisi një operacion detar për të ruajtur një lidhje paralele të energjisë elektrike.
Finlanda kapi të enjten një anije që transportonte naftë ruse me dyshimin se shkaktoi një ndërprerje të kabllos nënujore të energjisë Estlink 2 që e lidh atë me Estoninë dhe për ndërprerjen e linjave të fibrave optike. Të premten ajo tha se i kishte kërkuar mbështetje aleancës ushtarake transatlantike.
Vendet baltike janë në alarm pas një vargu ndërprerjesh të kabllove të energjisë, lidhjeve të telekomit dhe tubacioneve të gazit që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022.
“Ne kemi rënë dakord me Estoninë dhe i kemi komunikuar gjithashtu Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, se dëshira jonë është të kemi një prani më të fortë të NATO-s,” tha presidenti finlandez Alexander Stubb në një konferencë shtypi.
Rutte postoi në platformën e mediave sociale X se “NATO do të rrisë praninë e saj ushtarake në Detin Baltik”, pa dhënë detaje. Një zyrtar i NATO-s nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.
Roja bregdetare e Suedisë tha se kishte rritur mbikëqyrjen e trafikut të anijeve, duke vendosur avionë dhe anije dhe duke u koordinuar me kombet e tjera.
Kremlini tha se kapja nga Finlanda e anijes që transportonte naftë ruse ishte pak shqetësim për të. Në të kaluarën, Rusia ka mohuar përfshirjen në ndonjë nga incidentet e infrastrukturës balltike.
Estonia tha se marina e saj po ruante kabllon e energjisë Estlink 1 ende funksionale.