Në episodin e 9-të të ciklit “Shpopullimi”, u trajtua tema e rinisë shqiptare dhe sfidat që ajo përballet në një periudhë të ndryshimeve të shpejta shoqërore dhe ekonomike. Ky diskutim përfshiu një pasqyrë të gjerë mbi arsimin, punësimin, shërbimet shëndetësore dhe mundësitë për zhvillim profesional, si dhe reflektime nga të rinjtë që janë në qendër të këtyre transformimeve. Ndërkohë, dokumentari shoqërues ndihmoi për të thelluar kuptimin e këtyre temave, duke paraqitur histori reale dhe vështirësi të përditshme të rinisë shqiptare
Arsimi dhe përgatitja për të ardhmen
Diskutimet në studio u hapën me shqetësimet e demografit Arjan Gjoncës, i cili vuri në dukje se shumë të rinj në Shqipëri diplomohen vetëm për të siguruar një vend pune në administratën publike. Ai e lidh këtë fenomen me një trashëgimi nga periudha e komunizmit, ku arsimi ishte e vetmja mundësi për një të ardhme më të sigurt. Gjonca theksoi: “Në Shqipëri, një pjesë e të rinjve duan vetëm të diplomohen dhe të sigurojnë një vend pune në administratë, sepse edukimi është parë si e vetmja mundësi për një punë të mirë. Kjo është një trashëgimi nga e kaluara.”
Andi Rabiaj, aktivist rinor, theksoi se të rinjtë në Shqipëri janë aktualisht në një fazë të rëndësishme të zhvillimit shoqëror dhe profesional, por janë të përballur me probleme të shumta. Ai përmendi se rinia është një nga grupet më të ndjeshme dhe vitale në shoqëri, dhe është e nevojshme të bëhet një kujdes më i madh për shëndetin dhe zhvillimin e saj. Rabiaj e theksoi gjithashtu nevojën për mundësi reale për zhvillim personal dhe profesional, dhe për të ndihmuar në përshtatjen e rinisë me kërkesat e tregut të punës dhe shoqërisë.
Papunësia e të rinjtë: Dilemat dhe problematikat
Papunësia e të rinjve mbetet një nga sfidat kryesore për Shqipërinë, me një shifër alarmante prej 22% në fund të vitit 2023, sipas INSTAT. Erald Pashaj, ekspert i punësimit, e lidh këtë papunësi me vonesat që të rinjtë kanë për t’u futur në tregun e punës: “Të rinjtë hyjnë në tregun e punës shumë më vonë se brezat e mëparshëm. Shumë prej tyre e fillojnë karrierën pasi përfundojnë studimet e larta, por nuk janë të përgatitur për kërkesat reale të tregut të punës.”
Në një diskutim të mëtejshëm, Ermal Hasimja, pedagog, e theksoi vështirësinë e gjetjes së të rinjve të përgjegjshëm për punë, duke vënë në dukje se, ndonëse shumë të rinj diplomohen, ata shpesh nuk janë të gatshëm për të ndjekur një karrierë të qëndrueshme: “Sot është shumë më e lehtë të gjesh të rinj me diploma, por është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh të rinj të përgjegjshëm që ndjekin të gjitha hapat për të ndërtuar një karrierë.”
Mundësitë e kthimit të të rinjve nga emigrimi
Në emision , Gerond Ibrahimi, drejtor i Agjencisë Kombëtar të Rinisë , diskutoi për emigrimin si një mundësi dhe një sfidë për të rinjtë shqiptarë. Ai theksoi se emigrimi sjell përfitime për të rinjtë që fitojnë aftësi dhe njohuri të reja, por Shqipëria duhet të krijojë mundësi për t’i kthyer ata mbrapsht me përfitime për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Ai përmendi nismat e fundit të qeverisë, si 61 këshillat rinorë në bashkitë e Shqipërisë, të cilat synojnë përmirësimin e politikave rinore dhe angazhimin e të rinjve në jetën shoqërore dhe ekonomike: “Përmes këtyre këshillave rinore, krijojmë mundësi që të rinjtë të kontribuojnë dhe të rikthehen pas përvojave të fituara jashtë vendit.”
Shërbimet shëndetësore dhe pjesëmarrja sociale e të rinjtë
Në studio, Dorina Toçaj, analiste e programit të shëndetit seksual dhe riprodhues dhe të rinjve në zyrën e UNFPA në Shqipëri theksoi se vendi ynë ka ende shumë punë për të bërë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për të rinjtë. Ajo përmendi programet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe integrimin e psikologëve dhe punonjësve socialë për të ndihmuar këtë grupmoshë: Disa nga politikat që po ndërmerren në aspektin e arsimimit, si dhe disa nisma të reja në sektorin e arsimit, janë me interes të madh dhe duhet të theksohen, si p.sh. programi “After School” ose pas orëve të mësimit, ku fëmijët mund të qëndrojnë dhe të vazhdojnë mësimet pas orarit të shkollës. Po ashtu, edhe programet e reja me nismat e shkollave verore, të cilat do të zbatohen në shkollat publike të Shqipërisë, janë një hap i rëndësishëm në drejtimin e përmirësimit të arsimit. Këto shkolla verore do të fokusohen jo vetëm te arsimimi i përgjithshëm, por dhe te grupet e rinjve që janë më vulnerabël. Pra, politika ka nisur nisma të reja dhe është duke punuar për të përmirësuar sistemin arsimor, me theks të veçantë në modernizimin e kurikulës në arsimin parauniversitar. Nisma të tilla do të ndihmojnë fuqizimin e të rinjve me aftësitë e duhura për të kuptuar më mirë orientimin e karrierës së tyre dhe për të marrë vendime të informuara për arsimin e mëtejshëm dhe mundësitë profesionale. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë, veçanërisht për grupet më vulnerabël të rinjve, dhe kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm nga politikat publike dhe aktorët relevantë”.
Në përmbyllje, diskutimet në studio dhe dokumentar zbuluan një panoramë të pasur të mundësive dhe sfidave që përballen të rinjtë shqiptarë. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e politikave dhe nismave që po ndërmerren për t’i ofruar mundësi për zhvillim dhe karrierë. Shqipëria, edhe pse përballet me shumë sfida, ka potencialin për t’u bërë një vend më tërheqës për të rinjtë, nëse do të investohet më shumë në arsimin, shëndetësinë dhe mundësitë e punësimit