Marash Kumbulla, mbrojtësi i Shqipërisë ka folur për “rg.org”, sa i takon çështjeve të ndryshme, përfshi këtu aventurën me Espanyol dhe natyrisht nuk hezitoi të përmendë edhe kombëtaren
“Kam luajtur për Shqipërinë që kur isha 15 vjeç dhe kur isha 19 vjeç, më duhej të zgjidhja mes Shqipërisë dhe Italisë në nivel të lartë. Edhe pse Italia donte që unë të luaja për ta, nuk kisha asnjë dyshim: e gjithë familja ime është nga Shqipëria, ndihem shqiptar dhe doja të luaja për kuqezinjtë. Kombëtarja është rritur shumë vitet e fundit për shkak të shumë lojtarëve që kishin zgjedhjen mes të luajturit për Shqipërinë dhe një komb tjetër dhe zgjodhën Shqipërinë. Shpresojmë, kjo do të motivojë fëmijët e tjerë që të marrin të njëjtin vendim në të ardhmen.
Mbrojtësi ka folur edhe për aventurën e tij te Roma: “Kishte shumë presion. Roma është një ekip i madh në Itali, tifozët e të cilit kërkojnë shumë, por unë e shijova shumë kohën time në Romë dhe presioni, edhe në kohë të këqija, më ndihmoi të piqesha. Unë jam rritur shumë nën Mourinhon për sa i përket karakterit dhe mentalitetit tim – ai të tregon të vërtetën në fytyrë. Ai të ndihmon ta shohësh futbollin në një mënyrë tjetër dhe kjo e bën më të lehtë të luash në një nivel më të lartë”.
“Tek Espanjoli kam gjetur një atmosferë ku më duhet të mendoj vetëm për atë që po ndodh në fushë dhe mund të përqendrohem në çdo detaj. Stërvitem çdo ditë për t’u përgatitur për çdo ndeshje. Pas një viti e gjysmë rikuperimi nga dëmtimi, isha pak në dyshim, por tani ndihem shumë mirë si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Më në fund ndihem sërish si vetvetja si futbollist”, – tha ai