Procesi zgjedhor i 9 shkurtit në Kosovë do të shënojë edhe ciklin e 9-të, kur qytetarët e vendit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës.
Për këtë garë, KQZ-ja ka certifikuar subjektet politike që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.
Derisa partitë kryesore i kanë renditur nga 110 kandidatë e të tjera me më pak, garës si i vetëm, kandidat i pavarur i ka hyrë vetëm një person i cili ishte certifikuar nga KQZ-ja javën e shkuar.
Sikurse për subjektet politike, pragu zgjedhor është i njëjtë edhe për kandidatët e pavarur. Ata duhet të sigurojnë së paku 5 për qind të votave të përgjithshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit.
“Numri i kandidatëve të pavarur për deputet në Kuvendin e Kosovës ka qenë i ndryshëm gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë. Në përgjithësi, që nga zgjedhjet e para për Kuvendin e Kosovës të mbajtura në vitin 2002 dhe deri më tani pas certifikimit të kandidatëve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025, numri i kandidatëve të pavarur për të garuar në zgjedhje është 13”, ka thënë për RTKlive Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së.
Ka treguar se numri më i madh i kandidatëve të pavarur ndonjëherë, ishte para 20 vjetësh, në zgjedhjet e vitit 2004.
“Numri më i madh i kandidatëve të pavarur, gjithsej 5, janë certifikuar në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të cilat janë mbajtur në vitin 2004. Në zgjedhjet e vitit 2002 ky numër ishte 3, në ato të vitit 2007 ishte 2, ndërkaq në zgjedhjet e viteve 2014, 2019 dhe 2024 ishte nga 1 kandidat i certifikuar”, tregoi tutje Elezi.
Por, ka pasur procese zgjedhore që nuk ka aplikuar asnjë kandidat i pavarur e kjo ka ndodhur në tri palë zgjedhje, ato të vitit 2010, 2017 dhe 2021