Kryetari i Degës së Lidhjes Demorkatike të Kosovës, Visar Azemi e quajti “grabitje” dëmir prej 37 milionë eurosh që Prokuroria Speciale tha se ia ka shkaktuar vendit ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi me disa të tjerë, sipas një aktakuze të ngritur.
“Aktakuza e re kundër Nagip Krasniqit tregon hapur se keqqeverisja në sektorin energjetik ka arritur kulmin. Dëmi kolosal prej 37 milionë eurosh, i shkaktuar buxhetit të shtetit gjatë viteve 2021-2023, nuk është thjesht një shifër – është një grabitje e xhepave të qytetarëve dhe një tjetër rast i paaftësisë qeverisëse”, shkroi Azemi në një postim në Facebook.
“Emërimet politike, mungesa e mbikëqyrjes dhe dështimet në KEK kanë shkatërruar një nga asetet më strategjike të Kosovës. Kjo qeveri, që refuzon të japë përgjegjësi për skandalet e vazhdueshme në KEK, i ka lënë qytetarët në errësirë, me mungesë energjie dhe me fatura të shtrenjta. Këto skandale duhet të marrin fund me 9 shkurt”, shtoi ai.