Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se viti 2024 ishte viti i zhvillimeve shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se “2024 ishte viti i ngritjes së fuqishme të opozitës shqiptare, dështimit të plotë dhe përfundimtar të grushtit shqiptar për eliminimin e opozitës dhe realizimin e projektit ‘Shqipëria pa opozitë’, Shqipëria e regjimit të Edi Ramës”
Berisha theksoi se ky ishte edhe viti i burgosjeve politike, por edhe që opozita sipas tij, “faktoi me dokumente në mënyrë të pakundërshtueshme aferat korruptive të Ramës, djegësave, sterilizatorëve dhe në mënyrë të veçantë aferën e Portit të Durrësit”.
“Ky ishte viti në të cilin opozita ia doli, sado që hasi rezistencë të madhe, të paraqesë para shqiptarëve dhe botës, ‘skrapin’ (SPAK) e partisë si një organizatë kriminale të drejtuar nga Altin Dumani. Ky ishte viti në të cilin shqiptarët u larguan masivisht nga Shqipëria dhe numri i shqiptarëve në BE arriti në total nga viti 2014 gjer sot në 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Viti, në të cilin varfëria u thellua me kate, kurse pasurimi i qeveritarëve u shtua me pallate”, u shpreh ai
Berisha tha se ”vazhdon vjedhja e parave në tunelin e Llogarasë, vazhdojnë punimet në bajpasin e Vlorës, vazhdon tërkuza te tuneli i Murrizit, është zhdukur rruga Qukës-Qafë Pllocë, pra nuk ka një vepër në 12 vite. Janë shpenzuar 57 miliardë euro buxhetet dhe që të gjitha të shndërruara në pasuri”.
Sipas Berishës, “hapja e negociatave 4 vite pas marrjes së vendimit, unik në botë, shkuarja tek kapitujt është tërësisht për arsye gjeostrategjike pasi Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter për kapitujt dhe negociatat”.
Kreu i PD-së, u shpreh se këto zhvillime për opozitën, e sollën në prag të fitores dhe opozita ecën e sigurt drejt 11 majit në një fitore të vërtetë.