Chelsea ka pësuar humbjen e dytë radhazi në Ligën Premier, teksa është mposhtur në udhëtim te Ipswich Town me rezultat 2-0.
Vetëm pas 12 minutave lojë vendasit kaluan në epërsi, ku Liam Delap realizoi nga penalltia për 1-0.
Në minutën e 24-të Chelsea barazoi rezultatin në 1-1 me Joao Felix, por që goli i tij u anulua nga VAR për shkak të pozitës jashtë loje.
Me epërsinë minimale të vendasve 1-0 u mbyllen 45 minutat e para.
Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për skuadrën vendase që gjetën golin me ish-anëtarin e Chelseat, Omari Hutchinson që shënoi për 2-0 në minutën e 53-të.
Mysafirët nga Londra tentuan me të gjitha forcat të rikthehen në lojë, megjithatë nuk arritën të shënonin përkundër rasteve të mira që patën.
Në fund Ipswich mbrojti rezultatin dhe arkëtoi tre pikë të mëdha në luftën për mbijetesë.
Me këtë fitore Ipswich ngjitet në pozitën e 18-të me 15 pikë, derisa Chelsea mbetet në pozitën e katërt me 35 pikë të grumbulluara.
Ndeshjen e radhës Ipswich e luan në udhëtim te Fulham, derisa Chelsea do të përballet në derbin lokal me Crystal Palace