Policia e Durrësit, në një kohë të shkurtër, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e vrasjes së të moshuarit Paulin Gina, i cili u gjet pajetë dhe i dhunuar me mjete të forta dhe prerëse në banesën e tij në lagjen nr.16 të qytetit.
Pas një pune hetimore, blutë e Durrësit arritën në konkluzionin se është 39 vjeçari Fation Janina, autori i dyshuar i këtij krimi makabër që tronditi qytetin bregdetar mbrëmjen e së hënës.
Sipas të dhënave paraprake, 39 vjeçari dyshohet se e ka qëlluar me çekiç dhe thikë fqinjin e tij Paulin Gina për motive të dobëta dhe më pas e ka mbyllur me çelës nga jashtë derën e banesës së viktimës për t’u larguar në drejtim të paditur.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 39 vjeçari ishte konsumator i alkoolit dhe i papunë, dhe ka hyrë në banesën e fqinjit për të grabitur pasi kishte dijeni se i kishin dërguar fëmijët para. 82-vjeçari ka bërë rezistencë dhe janë përleshur me njëri-tjetrin.
Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit.
Mjeti prerës, çekiçi dhe veshjet me njolla gjaku janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.
Viktima jetonte vetëm në banesë, pasi të afërmit i kishte jashtë shtetit. Ishin këta të fundit që njoftuan policinë, pasi kishin disa orë që nuk kontaktonin dot me të moshuarin.