Fati i të zhdukurve në duart e Serbisë

by Merita

Hera e vetme gjatë 2024-s kur Serbia tregoi gatishmëri për çështjen e të pagjeturve ishte në mesin e dhjetorit kur ra dakord për rregullat e punës së Komisionit të Përbashkët, i cili do ta mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit.

Serbia nuk lejoi kërkimet në tri lokacione brenda territorit të saj, duke e zgjatur edhe për 12 muaj pritjen për familjet e 1607 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

banner

Nga 6065 persona të zhdukur ndërmjet 1 janarit 98 e 31 dhjetorit 2000, për 1607 njerëz nuk dihet se ku janë.

Shumica dërmuese u gjetën në varreza masive në Serbi, por përgjatë 2024-s, Beogradi nuk dha leje për asnjë gërmim. Dakordimi dhe para-përgatitjet në terren u bënë, por dheu që mbulon shpresën për ndonjë trup tjetër, mbeti i paprekur, në Kozhlje, Kozarevë e Batajanicë.

Kjo nuk e zbeh vullnetin që përpjekjet të vazhdojnë edhe gjatë vitit që po hyjmë, përfshirë edhe në këto tri lokacione.

“Mundësia e rikthimit osë ne lokacionin në zonën e Peruqas, në zonën e Bajnabashtës apo edhe në lokacionin në Petrovosello në kufi me Rumaninë”, ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Toka e Kosovës ka qenë e vetmja adresë në të cilën është gërmuar, rezultatet janë dyshifrore, por të papërfillshme përballë numrit 1607.

“Janë më shumë se 30 raporte të analizës së ADN-së që janë pranuar, po flas kryesisht për identifikime të reja, më shumë se 25 persona që kanë qenë në listën e personave të zhdukur, që tani më kemi pranuar raportet e ADN-së”, ka shtuar Gara.

Më 4 maj 2023, përpjekjet tri vjeçare u kurorëzuan me Deklaratën për Personat e Zhdukur, dokument që përpos zgjidhjes për të pagjeturit përmban edhe zotimin e të dyja palëve për çdo lloj bashkëpunimi.

Ky dokument kishte nevojë për një gardian të zbatimit, një Komision të Përbashkët, me rregulla të punës. Termat e referencës janë rregullat për të cilat palët ranë dakord tek në dhjetor të 2024-s.

UNMIK-u i shumëkërkuar nga Serbia u zhduk nga tavolina, duke i hapur rrugë mekanizmit që për çdo të pagjetur palëve iu mundëson që shqetësimin ta bartin në veshin e 27 vendeve anëtare të BE-së, si udhëheqëse e Komisionit.

“Çka bënë kjo, arkivat për shembull që i kam kërkuar në vitin e kaluar nga z. Vuçiq dhe që nuk kam marrë asnjë përgjigje e le më thënë jo, nuk kemi marrë as përgjigje kjo e trajton si temë. Do të thotë të gjitha problemet, shqetësimet që nuk rregullohen në kuadër të grupeve punuese, kjo i ngritë si çështje në nivel pak më të lartë”, ka theksuar kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.

Komisioni i Përbashkët, do të monitorojë identifikimin e vendeve të varrimit dhe pasgërmimet e mëtejshme, respektimin e të drejtave të familjarëve të personave të zhdukur, përdorimin e pajisjeve të përparuara për kërkim dhe pasjen në arkiva ushtarake e dokumente që janë të domosdoshme për të rënë në dokumentet në të cilat ushtria dhe policia e Serbisë ka lënë gjurmët e krimeve të llahtarshme që vranë mbi 13 mijë njerëz, 10 mijë civilë, shumica dërmuese shqiptarë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy