Mes sulmit në New Orleans dhe atij pranë hotelit të Donald Trump në Las Vegas nuk është gjetur asnjë lloj lidhjeje. Këtë e bëri të ditur FBI gjatë një deklarate për mediat të enjten, teksa shton se ende në ndodhen në “faza shumë të hershme të hetimit“.
“Siç e dini, po hetohet gjithashtu në Las Vegas. Ne po ndjekim të gjitha drejtimet e mundshme dhe nuk përjashtojmë asgjë…,” tha ndër të tjera zëvendës ndihmësdrejtori i divizionit kundër terrorizmit, në FBI, Christopher Raia.
Çfarë ndodhi?
Hetuesit në Nju Orlins po përpiqen të zbulojnë, se çfarë e motivoi veteranin e ushtrisë Shamsud-Din Jabbarm të përplaste kamionin me flamurin e ISIS me një turme qe festonte Vitin e Ri, duke vrarë 15 persona e duke plagosur 30 të tjerë para se të ekzekutohej nga policia.
Sipas asaj që u bë e ditur nga FBI gjatë pasdites së sotme, 42-vjeçari një qytetar amerikan nga Teksasi që ka shërbyer në Afganistan, ka vepruar i vetëm.
Prania e një flamuri të ISIS në kamionin e marrë me qira, ka shtyrë hetuesit ta trajtojnë aktin si terrorist, e të shqyrtojnë lidhje me organizata të mundshme terroriste, të tilla si shteti Islamik. Brenda automjetit të autorit u gjetën pajisje të dyshuara shpërthyese.
Jabbarm ishte lindur e rritur ne qytetin e Beaumont, siç thotë vetë në një video promocionale të postuar 4 vite më herët, dhe punonte në një agjenci imobiliare në Houston. CNN, që citon zyrtarë të informuar lidhur me hetimet, te thonë se i dyshuari kishte regjistruar video në të cilat përmendte ëndrrën e tij për t’iu bashkuar ISIS por edhe qëllimin për të vrarë familjen, pas divorcit. Në një prej videove fliste për synimet për t’i mbledhur të gjithë familjarët në një feste, ku më pas do t’i ekzekutonte.