Skuadra e Shkëndijës nga Tetova sot ka nisur përgatitjet dimërore, duke u fokusuar në përmirësimin e formës fizike dhe tekniko-taktike për gjysmën e mbetur të sezonit,
Programi i përgatitjeve është i detajuar, duke përfshirë faza të ndryshme për të garantuar suksesin në kampionat.
Gjatë dy ditëve të para, futbollistët do të kalojnë nëpër ekzaminime mjekësore dhe matje fizike. Këto procedura kryhen në grupe dhe janë një hap i rëndësishëm për të vlerësuar gjendjen aktuale të secilit lojtar para se të fillojnë seancat intensive të stërvitjes. Nga e shtuna, ekipi do të intensifikojë përgatitjet me dy seanca stërvitore në ditë, bazuar në planin e trajnerit dhe stafit teknik.
Kuqezinjtë kanë paralajmëruar se faza e parë do të zhvillohet në Tetovë, ku janë planifikuar dy ndeshje kontrolluese më 17 dhe 22 janar. Më pas, do të zhvendoset në Antalia të Turqisë nga 25 janari deri më 8 shkurt. Gjatë kësaj periudhe, përveç stërvitjeve, ekipi do të luajë katër ndeshje miqësore për të testuar formacionin në kushte garash
Lojtarët Alhassan, Webster dhe Qaka do t’i bashkohen ekipit nga e shtuna, pasi sot kanë udhëtuar drejt Maqedonisë së Veriut. Stafi teknik është i fokusuar që të gjithë lojtarët të jenë në gjendjen më të mirë fizike dhe psikologjike për sfidat që i presin.
Kujtojmë se pas fazave përgatitore, Shkëndija do të hapë zyrtarisht gjysmën e dytë të kampionatit më 16 shkurt, me ndeshjen që do të luajë në Shkup kundër rivalit tradicional, Vardarit. Skuadra është e vendosur të vazhdojë me rezultate pozitive dhe të jetë konkurrente për objektivat e saj sezonalë, pasi gjysmën e sezonit e mbylli me pikë të barabarta me Sileksin dhe Rabotniçkin