Skema aktuale sociale nuk fuqizon gratë as grupet e margjinalizuara

by Nexhat

Në lagje të ndryshme të kryeqytetit gratë rrëfejnë për papunësinë, skamjen e përhapur dhe përkrahjen e mangët sociale. Përkundër përpjekjeve në nivel qendror e lokal për të zbutur nevojat, skema aktuale nuk ofron siguri adekuate sociale për shumë familje të varfra në Kosovë.

Në një ditë të ftohtë dhjetori, Naile Sopa nga Prishtina, po e mbante për dore vajzën e saj të sëmurë teksa, po e priste autobusin për ta dërguar për vizitë te mjeku.

banner

“ Për Zotin jam lodhur! S’kam kah t’ia mbaj”, thotë ajo.

Me vajzën me një problem të rënduar të shëndetit mendor dhe të shoqin gjithashtu të sëmurë e pa punë, Sopa mezi mban lotët teksa rrëfen për Radio Kosovën se jeta e saj po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

“Nuk na ndihmon as askush. Jetë me e vështirë se tash nuk ka! Kudo që shkon për t’u ankuar të thonë hajt këtej e hajt andej, veç të endin”, tregon Sopa. 

”Shumë keq i kam kushtet, nuk di kah t’ia mbaj! Me burrë të sëmurë, me çikë të sëmurë, më keq s’di ku shkon!”.

Si Sopa edhe shumë familje të tjera shfaqin realitetin e një sistemi të mirëqenies sociale që nuk ofron ndihmë të mjaftueshme për individët dhe familjet në nevojë, sidomos në çështje si asistenca në kujdes shëndetësor, ushqim apo përkrahje të tjera

Selvie Haliti, një tjetër grua që jeton në një ndërtesë kolektive në Lagjen  te “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë, tregon gjithashtu se familja e saj  shtatë anëtarësh mezi ia del për të siguruar ushqim, ndërkohë që nuk merr ndonjë përkrahje sociale. 

“Që dy vite na kanë ndal socialin, burri ku të mundet punon me  hekura gjatë ditës nga 5 euro ku herë mund t’i marrë e herë nuk mund as ato 5 euro t’i marrë”, thotë ajo.

 Haliti rrëfen për ankthin e saj të përditshëm.

“Mendtë në krye nuk i kam! Kushtet e vështira, as harxh s’po kemi, socialin na kanë ndal e mezi po ia dalim duke na falë ndonjë i afërm  se s’ka kush na ndihmon. Jemi 7 anëtarë të familjes”, shton ajo.

Një banore tjetër në këtë lagje, që nuk preferoi të identifikohej, gjithashtu  i tregoi Radio Kosovës për gjendjen e rëndë sociale të disa familjeve që jetojnë në të njëjtin objekt. Ky është një tjetër pasqyrim i nivelit ende të mangët të zhvillimit dhe zbatimit të politikave dhe programeve sociale në vend

 “Të kish qenë dikush m’u përkujdes sidomos për këto rastet e veçanta, që kanë fëmijë të vegjël të sëmurë, se problem me ia dalë”, rrëfen ajo duke shfaqur pak shpresë që i ka mbetur.

“ Do Zoti bëjnë diçka bile për këto rastet që janë më të veçanta e t’u ofrojnë ndonjë ndihmë sociale, apo diçka”.

Raportet që analizojnë programet e mbrojtjes sociale si pensionet, asistencën sociale dhe programet e tregut të punës tregojnë se përkrahja e pjesës më të cenueshme kërkon investim në sisteme të mbrojtjes sociale.

Drejtoresha Ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, thotë se skemat aktuale sociale si për fëmijët dhe për gratë që lindin janë masa që nuk hyjnë ne legjislacion. “Çdo skemë e cila është afat shkurtër nuk ka ndikim pozitiv pasi i lë gratë jashtë karrierës”, thotë Demolli për Radio Kosovën

 Ajo shton se nuk mund të jenë të pranueshme skemat sociale që i mbajnë gratë në shtëpi veç për të lindë fëmijë.

“Duhet një zgjidhje afatgjate, ndërtim kapacitetit edhe shfrytëzim të potencialit të grave në mënyrë  më afatgjatë, më të strukturuar dhe më mbështetëse, jo në këtë mënyrë”, shton ajo.

Megjithatë në nivel qendror e lokal zyrtarët flasin për mbështetjen dhe promovimin e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës, përfshirë individët dhe grupet në nevojë.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, përmend se ka një rënie të ndjeshme të numrit të rasteve sociale në kryeqytet, duke thënë se komuna ka ndikuar në punësim.

 “Fatmirësisht kemi numër në zbritje të rasateve sociale. Janë rreth 900 familje nga 1 mijë e ca që kanë qenë. Ne kemi arritur ta zbresim numrin e  familjeve sociale duke i futur në tregun e punës”, thotë ajo për Radio Kosovën

Sahiti, numëron disa përfitime që sipas saj, kanë pasur familjet në nevojë si sigurimi druve për ngrohje, pako ushqimore, higjienike dhe shujta të ngrohta, por që nuk e kanë zbutur shumë problemin e tyre.

“Kemi kërkuar trajnime me fokus te gratë dhe ato po japin kontribut për familjet e tyre dhe gradualisht po largohen nga skema sociale”, thotë ajo.

Qeveria më herët ka paralajmëruar reforma në skemën sociale, përderisa raporti i fundit i Bankës Botërore thekson se pa reformë rrënjësore  në përkrahjen sociale, të varfrit dhe më të cenuarit do të lihen pas.

Sipas këtij raporti, përderisa Kosova ndan një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për programet e mbrojtjes sociale, efikasiteti i tyre dhe mënyra shpërndarëse kanë nevojë për përmirësim./RTK/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy