Në majin e vitit 2021, pak pas orës 19:00, Florent M.*, që tani është 26-vjeç, i hipi Ferrarit të tij të kaltër. I riu përshpejtoi, ndërsa vetura e tij bëri zhurmë të madhe. Ai po e ngiste makinën e tij me shpejtësi nga rruga Dietikon për në Spreitenbach. Por derisa po tentonte të merrte një kthesë, gjithçka i doli nga dora. Nga shpejtësia e madhe, kosovari del nga rruga dhe me veturën e tij luksoze godet një mur.
Florent M. nuk pëson lëndime, por makina e tij bëhet për skrap. “Si pasojë e aksidentit, rruga u desh të mbyllej për rreth dy orë”, pati thënë policia kantonale e Cyrihut në atë kohë.
Një hetim i gazetës zvicerane “Blick” ka treguar se ky aksident pati pasoja të hidhura për Florent M., i cili u dëbua në Kosovë. Për më shumë se tri vite, ai luftoi për të drejtën që të mbetet në Zvicër – por pa sukses. Rreth një vit pas aksidentit, Gjykata e Qarkut e Dietikonit e shpalli atë fajtor për aksident të rëndë dhe e dënoi atë me 43 muaj në burg. Gjykata e Qarkut fillimisht nuk vendosi për dëbimin e tij. Sipas dokumenteve, Florent M. po voziste me shpejtësi prej së paku 100 km/h në vend të 60 km/h dhe la shenja nga djegia e gomave në gjatësi prej rreth 170 metrash. Në prezencë të avokatit të tij, ai pranoi se po ngiste madje deri në 120 km/h. Kjo duket edhe nga dokumentet e gjykatës, transmeton Klankosova.tv.
Por as Florent M. e as zyra e prokurorit publik të Cyrihut nuk ishin të kënaqur me gjykimin. Të dyja palët e apeluan. Në korrik të vitit 2023, Gjykata Supreme e Cyrihut konstatoi se gjykimi ishte i drejtë, por shkoi edhe një hap tutje: urdhëroi dëbim prej gjashtë vjetësh mbi bazën e Aktit të Vozitjes së Pakujdesshme.
Florent M. e çoi rastin në Gjykatën Federale, por humbi. Në gjykimin e saj të 7 tetorit të vitit 2024, Gjykata më e lartë e Zvicrës e mbrojti vendimin për dëbim. Gjykata Federale madje tha se “interesi publik për dëbim është vendimtar për rastin në fjalë”. Me fjalë tjera: gjykata e konsideroi Florent M. si rrezik.
Florent M. pranon se Ferrari ishte i tij. Në kohën e aksidentit, ai kishte në pronësi një servis makinash me një koleg. E banori i Cyrihut po e konsideron vendimin “të padrejtë”. “Është vendim i vështirë. Thjesht, mbeta pa fjalë”.
Zyra për migrim veçse e ka kontaktuar atë. “Autoritetet më dhanë një muaj për të lëshuar Zvicrën. Nuk më dhanë fare mundësi për t’u përgatitur për të ardhmen time në Kosovë. U ktheva në Kosovë në fund të nëntorit. Deri para pak kohe, gati tre vjet i kalova në ndalim”.
“Jam pishman për të veprimet e mia, duke filluar nga ngasja në gjendje të dehur”, thotë ai. Me këtë, ai po tregon se përpos ngasjes së pakujdesshme, ai ka edhe histori tjera, si kundërvajtje trafiku dhe një rast tjetër për tentim-sulm të rëndë – të gjitha brenda në kohe të shkurtër. “Kalova nëpër një periudhë të rëndë. Duke e parë nga jashtë, duket se unë veçse paraqisja rrezik”, sqaron ai, transmeton Klankosova.tv.
Gjykata Federale sqaron se Florent M. është dashur tashmë të largohet nga vendi pasi është shpallur fajtor për lëndim trupor. Megjithatë, për shkak të situatës së tij personale, dëbimi nuk u urdhërua. Por kundërvajtja e shpejtësisë vulosi fatin e tij: Gjykata Federale arriti në përfundimin se ekzistonte rreziku i një vepre penale për këtë shtetas kosovar.
Florent M., i cili arriti në Zvicër në moshën katër-vjeçare me familjen e tij që ende jeton në Dietikon, sqaron: “Nuk e di se si do t’i kaloj gjashtë vjet këtu në Kosovë. Megjithatë, këtë kohë do ta kaloj me mençuri, do të bëhem më i qetë. Qëllimi im është të kthehem në Zvicër – në vendin tim”.
*Emër i ndryshuar nga redaksia e “Blick”.