Ndaj vendimit të presidentes Gordana Siljanovska Davkova, kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, e Ziadin Selës, pasi me veton e vendosur, presidentja bllokoj licencat dygjuhësore për çerdhet.
Nga ASH thonë se ky veprim i presidentes është koordinuar me qeverinë siç e quajnë ata monoetnike, duke e kritikuar dhe VLEN-in që në zgjedhjet e fundit presidenciale e përkrahën Siljanovskën për presidente.
Reagimi i plotë:
Liçencat në gjuhën shqipe i bllokon Siljanovska e Vlenit, me porosi të Qeverisë
Pushteti Vlen-DPMNE vazhdon të luftojë gjuhën shqipe dhe të drejtat kolektive të shqiptarëve përmes instrumenteve alternative, kësaj radhe përmes presidentes Siljanovska-Davkova e cila ka refuzuar të dekretojë Propozim-ligjin
për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, në të cilin parashihet dhënia e liçencave edhe në gjuhën shqipe. Ky veprim është kryekëput i Qeverisë, por vetëm se realizohet përmes presidentes, ashtu si edhe vendime të tjera që janë realizuar herë përmes Gjykatës Kushtetuese e herë përmes institucioneve të tjera.
Ky rast nxori në pah jo vetëm paaftësinë, por edhe hipokrizinë e Vlenit, të cilët në zgjedhjet e fundit presidenciale u mobilizuan që t’i sigurojnë cenzusin presidentes, duke e arsyetuar me marrëveshjen për qeverisjen jolegjitime që kishin arritur me mandatarin Hristijan Mickoski. Sot zyrtarë të këtij koalicioni jolegjitim derdhin lotë krokodili dhe shtiren sikur presidentja të jetë e ardhur nga ndonjë planet tjetër.
Vasalitetin e Vlenit po e paguajnë shtrenjtë shqiptarët, ndërsa hipokrizia e tyre është vetëm një tentim për t’ua nënçmuar edhe intelegjencën.
Davkovën e sollët ju! Ligjin e bllokoi pushteti juaj jolegjitim dhe monoetnik