Me ëndrrën e nënës në zemër, Meleke Misini nisi rrugëtimin drejt një diplome universitare dy vjet më parë.
Njëzetvjeçarja nga Prizreni, e komunitetit rom, tani është në vitin e dytë të studimeve për Higjienë dhe Estetikë Dentare në këtë qytet dhe, me çdo provim të kaluar, ajo i afrohet qëllimit për t’iu bashkuar brezit të parë të grave rome në Kosovë që marrin diplomë universitare.
“Mami e ka përfunduar shkollën deri në klasën e nëntë dhe nuk ka mundur ta vazhdojë më tutje, sepse gjyshi nuk e ka lënë. Ajo gjithmonë më thotë që unë duhet ta arrij suksesin që ajo nuk ka mundur”, thotë Melekja për Radion Evropa e Lirë.
Të dhënat e publikuara nga Komisioni Evropian tregojnë se vetëm rreth 50 për qind e pjesëtarëve të komunitetit rom e përfundojnë shkollimin e detyrueshëm nëntëvjeçar në Kosovë. Përqindja është më e ulët kur merren parasysh vetëm vajzat.
Shkaku i varfërisë, vetëdijesimit të ulët për rëndësinë e edukimit dhe martesave të hershme, shumë vajza rome përballen ende me presion për ta braktisur shkollimin.
Melekja ndihet me fat që ka pasur përkrahjen e plotë të prindërve të saj, edhe pse e pranon se ndonjëherë “kushtet financiare nuk i kemi aq të volitshme”.
Për t’i ndihmuar prindërit në financimin e ëndrrës së tyre të përbashkët, Melekja mori një vizë pune për në Gjermani gjatë muajve të verës dhe grumbulloi para për studime.
“Ata i kam përkrahjen më të madhe. Në shekullin tonë do të duhej që çdo prind ta mbështeste fëmijën e vet. Por, fatkeqësisht, kemi raste kur nuk ndodh kjo gjë”, thotë prizrenasja.
Për të, e rëndësishme ka qenë të rrethohet edhe me vajza të tjera rome në Prizren, që po kalojnë të njëjtin rrugëtim si ajo.
Shoqja e saj, 21-vjeçarja Edona Krasniqi, tani është në vitin e tretë të studimeve për Edukim Parashkollor.
Gjashtë vjet më parë, babai i saj ndërroi jetë, por ëndrra e tij për ta parë vajzën të diplomuar, mbeti e ngulitur në mendjen e Edonës.
Qëllimi i saj nuk u lëkund, me gjithë sfidat që hasi në këtë rrugëtim.
“Vitin e kaluar, kur po bëja praktikë, një vajzë kishte thënë që nuk dua të mësoj me këtë mësuese, sepse kjo është e komunitetit ‘ma****p’. Ajo fjalë më ka bërë të ndihem shumë keq, por s’e kam humbur ëndrrën time”, thotë 21-vjeçarja.
Edona thotë se nuk mund ta përshkruajë ndjenjën që i falin fëmijët kur e thërrasin “edukatore” dhe shpreson që atyre t’u ofrojë mësime të rëndësishme.
“Si temë e parë në klasë duhet të jetë diskriminimi, që të jemi gjithmonë të barabartë, të shoqërohen të gjithë bashkë. Është e rëndësishme që të gjitha komunitetet të mësojnë prej njëri-tjetrit”, shton prizrenasja.
Në tentim për ta rritur numrin e studentëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nëpër universitetet në Kosovë, institucionet kanë ndarë bursa studimi, si dhe kanë ndarë vende të rezervuara për studentët nga këto komunitete në universitetet publike.
Edhe organizatat e ndryshme joqeveritare kanë ndërmarrë iniciativa për të ngritur vetëdijesimin për rëndësinë e arsimimit dhe për të nxitur maturantët të regjistrohen në studime universitare.
Një ndër këto organizata është Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE), që u ofron qasje në mentorë, mbështetje plotësuese akademike, trajnime të ndryshme.
Bajram Ilazi, nga kjo organizatë, tregon se nga 100 studentët që kanë përfituar nga programi i vitit 2024, 58 janë vajza.
“Në njërën anë, kjo më gëzon jashtëzakonisht shumë. Por, në anën tjetër, nuk ndihem mirë sepse e di që kemi shumë më shumë vajza që kanë dëshirë dhe motiv t’i vazhdojnë studimet. Por, shkaku i vetëdijesimit të ulët të prindërve, ato nuk lejohen”, thotë Ilazi për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se numri i djemve është më i ulët, sepse ata përballen me shumë presion për të kontribuar financiarisht në familje dhe se angazhimi në punë ua pamundëson studimet universitare.
Ndërsa, për vajzat që vijnë nga vendbanime larg Prishtinës, Bajrami thotë se prindërit hezitojnë t’i lejojnë ato të zhvendosen nga shtëpia për të studiuar.
“Kur më kujtohen vajzat e para që kanë filluar studimet… ka qenë një thyerje e akullit jashtëzakonisht e madhe për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Tani po shohim vajza që po e vazhdojnë këtë rrugëtim dhe po besoj që këto vajza do të shërbejnë si model i mirë për vajzat e tjera”, thotë Ilazi.
Ai tregon se braktisja e shkollimit vazhdon të jetë problem shqetësues për vajzat qysh nga klasa e gjashtë e shkollës fillore, edhe pse ligjet në Kosovë përcaktojnë që shkollimi fillor është i detyrueshëm.
Në Kosovë nuk ekzistojnë të dhëna publike të sakta për këtë problem, por Ilazi thotë se përqindja e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që vazhdojnë shkollimin e mesëm, është e ulët, ndërsa e atyre që vazhdojnë studimet universitare, edhe më e ulët.
Melekja beson se në këtë përqindje të vogël ndikojnë vështirësitë socio-ekonomike që pjesëtarët e këtyre komuniteteve kanë në jetën e tyre të përditshme.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vetëm rreth 24 për qind e familjeve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë posedojnë kompjuterë – shifër më shumë se dyfish më e ulët se mesatarja e përgjithshme në Kosovë.
“Nuk ka më libra e fletore në fakultete. Gjithçka është digjitale”, thotë Melekja, e lumtur që është në mesin e 100 studentëve përfitues të programit të VORAE-s, që i pajis ata me laptopë.
Melekja mban sytë e hapur për çdo trajnim, punë praktike dhe mundësi që mendon se do t’i ndihmojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë
“Trajnimet po na ndihmojnë shumë… për shembull të vetëdijesohemi kundër martesave të hershme, të vetëdijesohemi që gjithçka e ka kohën e vet”, thotë ajo.
Megjithatë, 20-vjeçarja thotë se shumë gjëra duhet të ndryshojnë për ta arritur të ardhmen që ajo ëndërron.
Në mendje i ka pjesëtarët e tjerë të komunitetit të saj etnik që jetojnë në lagje pa ujësjellës, që nuk u mundësohet transporti i fëmijëve nëpër shkolla, që jetojnë në varfëri…
“Janë disa gjëra që duhet të përmirësohen. Duhet të ketë ndihmë për hapat tonë të parë, që të arrijmë ta jetojmë një jetë më të mirë sesa prindërit tonë”, përfundon Melekja. /REL