Interi dhe Milani do të zbresin sonte në fushën e blertë në një tjetër derbi të zjarrtë.
Zikaltrit dhe Kuqezinjtë do ta kërkojnë trofeun e Superkupës së Italisë në “Derby della Madonnina”.
“Nerazzurri” në gjysmëfinale e eliminuan Atalantan, kurse “Rossoneri” e mposhtën me përmbysje Juventusin,
Ekipi i Simone Inzaghit është fitues në fuqi i këtij trofeu dhe do ta kërkojë këtë trofe për herë të nëntë, duke e barazuar kështu potencialisht Juventusin.
Nga ana tjetër, shtatë herë kampioni i Evropës nuk e ka fituar Superkupën e Italisë që nga viti 2016 dhe një triumf i mundshëm sonte do ta ngriste në 8 numrin e trofeve të tillë për këtë ekip.
Milani e fitoi derbin e qytetit me Interin në këtë edicion 2:1, në “Derby della Madonninan” e luajtur më 22 shtator në stadiumin “San Siro”.
Rivalët lokalë do të ballafaqohen mes vete për herë të tretë në Superkupën e Italisë.
Milani do të mundohet ta regjistrojë fitoren e dytë radhazi ndaj Interit, gjë e cila nuk kishte ndodhur nga sezoni 2010/2011, kur Kuqezinjtë i fitonin tre derbi rresht.
Interi dhe Milani do ta luajnë finalen e 13-të për këto dy ekipe në Superkupën e Italisë, ndërsa vetëm Juventusi ka më shumë finale të luajtura – 17.
Gjithashtu, Juve e ka fituar më së shumti këtë trofe – 9 herë, Interi 8 herë e Milani 7 herë.
Interi njëherësh mund të bëhet ekipi i parë ndonjëherë që e fiton katër herë radhazi Superkupën e Italisë.
Milani e kishte fituar këtë trofe tri herë radhazi mes viteve 1992 e 1994.
Trajneri Sergio Conceicao e synon trofeun e parë si trajner në Itali, pasi e zëvendësoi ditë më parë Paulo Fonsecan e shkarkuar.
Nga ana tjetër, Simone Inzaghi është bërë specialist i këtij trofeu dhe dëshiron ta pasurojë vitrinën e klubit me një tjetër kupë.
Ndeshja mes Interit dhe Milanit do të luhet sonte në stadiumin “Al-Awwal Park” në Rijad të Arabisë Saudite duke filluar nga ora 20:00 me kohën tonë lokale.