Përkundër këtij dështimi, lajmi i kthimit të mjeteve te kompania “Mabco Construction” po prezantohet nga disa si “fitore”, një qasje që vetëm ushqen propagandën partiake dhe maskon dështimet serioze të institucioneve. Në të vërtetë, kjo situatë është një kujtesë e rëndësishme për nevojën e reformave urgjente në menaxhimin institucional dhe mbrojtjen ligjore të interesave të Kosovës.
Javën e kaluar, kompania “Mabco Construction”, në pronësi të z. Behgjet Pacollit, fitoi një çështje arbitrazhi kundër shtetit të Kosovës në lidhje me rastin e Hotelit Grand. Sipas vendimit, shteti i Kosovës duhet t’i kthejë kompanisë paratë që kishte paguar për pronësinë e objektit, ndërsa Hotel Grand mbetet nën pronësinë shtetërore.
Një analizë e thelluar ngre pyetje mbi arsyen pse ky objekt nuk është privatizuar. Nëse Grand-i do të ishte privatizuar, përfitimet për shtetin mund të ishin të mëdha:
•Investime të reja në një ndërtesë ikonë të kryeqytetit.
•Punësim i të rinjve, duke ndihmuar ekonominë vendore.
•Përmirësim i imazhit të Kosovës si një destinacion i sigurt për investitorët, duke dëshmuar një kornizë ligjore mbështetëse për ta.
Nga një tjetër këndvështrim, ky rast pasqyron mangësitë serioze institucionale të Kosovës. Procesi i stërzgjatur në arbitrazh ka dërguar mesazhe negative për investitorët e huaj dhe ata shqiptarë, duke minuar besimin e tyre për të investuar në vend.
Një tjetër çështje është mungesa e llogaridhënies. Fakti që shteti i Kosovës humb rreth 60 milionë euro në arbitrazhe ndërkombëtare çdo vit – ose afërsisht 5 milionë në muaj – kërkon një hetim të thelluar dhe ndëshkime për ata që dështojnë të mbrojnë interesat e vendit.
Ky rast nuk është arsye për mburrje, por një thirrje për reflektim të thellë dhe përgjegjshmëri. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me seriozitet për të parandaluar dështime të ngjashme në të ardhmen dhe për të ndërtuar një mjedis më tërheqës për investime të huaja dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Është shqetësues fakti se me çfarë lehtësie premtohen pageset milionëshe në proceset e Arbitrazheve pa kërkuar përgjegjësi se pse erdhi deri tek ky vendim dhe pse po përsëriten këto vendime.
Këta miliona euro që duhet të paguhen nuk vijn nga xhepi i ministrave por jan pron e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Duhet të ngritet përgjegjësia institucionale dhe llogaridhēnja e jo këto raste të ndëshkimit dhe penalizimit të Kosovës të përsëriten madje disa herë brenda vitit.
Miliona euro do të paguhen por a dihet qka do të ndodhë me fatin e Hotelit Grand në të ardhmen.
A do të mbeten edhe më tutje një “bukuri që vret” në qendër të Prishtinës apo do të i lihet kohes që në heshtje njē ditē tē jetë një objekt komercial dhe banesor e të përjetoj fatin e shumë fabrikave dhe objekteve të privatizuara me Spinoff special në Kosovën e pas luftës të cilat u tjetërsuan dhe u shëndrruan në lagje dhe objekte banesore e jo në fabrika të modernizuara që do të kontriboni në prodhim, punësim dhe rritje të eksporteve në interes të shtetit dhe qytetarëve.
Republika e Kosovës e meriton një të ardhme më ndryshe ku për shtetin veprohet e nuk flitet.
Shkruan: Safet Gerxhaliu