Sekretari i përgjithshëm, i SBASHK-ut Ymer Ymeri u shpreh i ashpër me qeveritë që kanë udhëhequr Kosovën pasi që sipas tij nuk ka pasur ngritje të pagës mesatare qoftë në sektorin publik apo privat ndër vite por vetëm ndryshim të numrave.
Ymeri në “Debat Plus” u shpreh me kritikë ndaj politikanëve në Kosovë ku ironizoi me udhëheqësit politik duke thënë se “fëmijët tanë dinë më shumë sesa politikanët”
“Që nga marrja e qeverisë, Albin Kurti, asnjëherë në asnjë periudhë sindikatat nuk kanë qenë më shumë të sulmuara dhe më pak bashkëpunues qoftë me ministrinë apo qeverinë. Kurti nuk ka bashkëpunuar me neve si sindikata. Ne jemi udhëheqës të njëjtë edhe para zgjedhjes së Kurtit”, ka deklaruar Ymeri
“Nuk është problemi i takimeve nga sindikatat me udhëheqës si Ramush Haradinaj, Kadri Veseli apo Hashim Thaqi. Problemi është se Kurti ka tentuar t’i marrë sindikatat nën udhëheqjen e tij, edhe sindikatat me vepru ashtu siç do ai. Po del se nuk i ka njohur sindikatat apo edhe udhëheqësit e sindikatave, pasi ata nuk i nënshtrohen asnjë qeverie”
“Krahasimi i pagave në Kosovë, nëse i marrim se a janë rritur pagat si numër, ato janë rritur por nëse krahasojmë vlerat e pagës sot dhe më herët, kemi ulje të pagave. Nëse i krahasojmë vlerat, nëse kemi pasur pagë 416 euro me një buxhet 1 miliardë e gjysmë ndërsa sot është mbi 3 miliardë e gjysmë. Që d.m.th. buxheti është dyfishuar, por pagat është dashur të baraspeshohen. Sot do duhej 800 euro e jo 600 euro”, tha Ymeri.