Zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, i është përgjigjur kërkesës së Bashkimit Europian që të miratohet Ligji për Lirinë Fetare përmes së cilit definohet statusi i Kishës Serbe në Kosovë.
Në konferencën e sotme në Bruksel, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, tha se blloku i bën Kuvendit të Kosovës për miratimin e tij, duke shtuar se ai është në të mirë të të gjitha komuniteteve në vend.
“Dhe për projektligjin e Kishës Ortodokse Serbe, ne bëjmë thirrje për miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që të mbështesin miratimin e ligjit”, tha ajo.
Por, Ahmeti në një postim në X tha se Qeveria e Kosovës e ka kaluar këtë Projektligj, por se ai mbetet i bllokuar në Kuvend për shkak të Listës Srpska.
“Qeveria e Kosovës e ka kaluar Projektligjin për Liritë Fetare, por 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb po garantojnë që ai të mbetet i bllokuar në Parlamentin e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.
Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen e Ohrit janë dakorduar që palët të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe.
“Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese europiane”, thuhet ndër të tjera në Nenin 7 të marrëveshjes së 27 shkurtit 2023