Korporata Energjetike e Kosovës nëpërmjet një komunikate e ka pranuar se në procesin e fundit për punësim kishte kandidatë me diploma të dyshimta, teksa ka akuzuar mediat për tendenca, me të cilat po ia zbehin suksesin. KEK-u në këtë komunikatë nuk ka treguar se sa prej aplikuesve kanë rezultuar me diploma të dyshimta.
Kartelat e punonjësve të rinj janë shpërndarë të hënën dhe në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Lidhur me këtë zhvillim, KEK-u ka thënë se janë verifikuar diplomat e kandidatëve dhe disa prej tyre janë larguar nga procesi i rekrutimit. Nuk ka treguar se sa prej tyre janë me diploma të dyshimta.
“KEK dëshiron të informojë publikun se më datë 02.01.2025, ka njoftuar opinionin për verifikimin e diplomave të kandidatëve, i cili ka rezultuar me largimin nga procesi i rekrutimit të kandidatëve për të cilët kishte dyshime për autenticitetin e diplomave të tyre. Përtej kësaj, KEK ka informuar organet përkatëse të drejtësisë dhe i ka ofruar atyre të gjitha informacionet që disponon për të zbardhur këtë çështje”, thuhet në njoftim.
KEK-u ka sulmuar edhe mediat, duke pretenduar se ato po përpiqen ta zbehin suksesin e Korporatës.
“Megjithatë, është e pakuptimtë dhe e papranueshme që disa individë dhe portale me tendenca të caktuara po përpiqen të zbehin këtë sukses duke e lidhur me çështje të tjera fare të paarsyeshme. Pavarësisht se informacioni përkatës është bërë publik dhe lënda është dërguar tek organet e rendit, disa prej këtyre individëve kanë vazhduar të përhapin lajme të pavërteta dhe të tentojnë të zbehin këtë proces të rëndësishëm”, thuhej në komunikatën e KEK-ut të martën.
Paparaci ka raportuar se 150 nga të punësuarit janë me origjinë nga fshati Bardh i Madh i Fushë Kosovës, bashkë-fshatar të ushtruesit të detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Bekir Gërguri, ka mësuar Paparaci nga burime të mirëinformuara brenda korporatës.
Ndërsa, 47 nga 220 të pranuarit në punë kanë aplikuar me diploma false të shkollës së mesme profesionale.
A.A, A.Sh, A.Zh, A.I, A.G, A.G, B.R, B.F, B.I, B.M, B.J, B.H, E.V, E.H, E.H, F.Zh, N.F, K.S, V.M, F.M, I.B, F.M, J.H, V.H, E.M, Sh.M N.C, D.Th, M.B, Sh.K, B.M, F.Ll, H.M, E.B, I.K, M.A, S.A, Gj.Rr, M.J, K.Z, R.M, N.J, F.M, L.M, R.B, S.C dhe S.H dyshohet se kanë falsifikuar diplomat për të konkurruar në KEK.
Të gjithë i kanë marrë sot kartelat e tyre të punësimit.
Sipas dëshmive që posedon Paparaci, Shkolla e Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi”, institucioni i vetëm në Obiliq në të cilin nxënësit mund të diplomojnë për xehetari, ka vërtetuar se diplomat me të cilat kanë aplikuar kandidatët në konkursin e KEK-ut, nuk janë lëshuar nga ky institucion.
Vetë drejtori i shkollës “Ismail Dumoshi” ka konfirmuar se ka pasur raste kur kandidatët kanë aplikuar me diploma të falsifikuara.
Jakup Hashani, drejtor i SHMLP “Ismail Dumoshi” në Obiliq, ka thënë se pas verifikimit të diplomave që ia ka kërkuar KEK-u, kanë figuruar kandidatë të cilët nuk kanë qenë të pajisur me diplomë.
“Po, ka”, ka thënë Hashani shkurtimisht për Paparacin.
Ky konkurs është hapur në shtator të këtij viti për pozitat: “manipulues i shiritave transportues”, “manipulues i hinkës fushore” dhe “manipulues i kabinës II”.
I hapur disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, konkursi dyshohet se është përdorur nga pushteti qendror për punësime në baza partiake siç ka ndodhur në të kaluarën me punësime në ndërmarrjet publike, në kohë fushatash zgjedhore.