Ka shkuar në 95 numri i personave të vdekur nga tërmeti që goditi rajonin malor të Tibetit të martën në mëngjes, thonë mediat shtetërore kineze. Ndërsa 130 të tjerë janë lënduar.
Tërmeti që goditi qytetin e shenjtë Shigatse të Tibetit rreth orës 09:00 me kohën lokale (01:00 GMT) kishte një magnitudë 7.1 Riher dhe një thellësi prej 10 kilometrash, sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së. Lëkundjet u ndjenë edhe në Nepalin fqinj dhe pjesë të Indisë.
Tërmetet janë të zakonshme në rajon, i cili shtrihet në një vijë të thyer gjeologjike. Shigatse konsiderohet si një nga qytetet më të shenjta të Tibetit. Është selia tradicionale e Panchen Lama, një figurë kyçe e budizmit tibetian, autoriteti shpirtëror i të cilit është i dyti pas Dalai Lamës.
Pamjet e publikuara nga transmetuesi shtetëror i Kinës CCTV treguan shtëpi të shkatërruara dhe ndërtesa të shembura, ndërsa punonjësit e shpëtimit kalonin nëpër mbeturina dhe u shpërndanë batanije të trasha vendasve.
Ekipet e shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e personave që mund të jenë ende nën rrënoja.