Ura e Badovcit u lëshua në qarkullim pa u testuar

by Nexhat

355 ditë pas nënshkrimit të kontratës, ura e re mbi liqenin e Badovcit u asfaltua. Megjithatë, edhe pse u lëshua për qarkullim, nuk dihet për stabilitetin e strukturës së saj.

Në urën tek liqeni i Badovcit, tash e tetë ditë kalojnë autobusë, kamionë e vetura. Por, struktura e urës nuk është testuar. Këtë e ka pranuar vetë kompania e cila e ka ndërtuar urën.

banner

Nga kompania “DRENI INGINERING” e cila është përgjegjëse për kryerjen e testimit, thonë se ura është hapur për qarkullim për shkak të festave të fundvitit.

“Unë e bëj testimin e urës, nuk është kryer. Kemi dashtë me e lëshu për qarkullim për shkak të festave dhe në një afat tjetër bahet testimi i urës”- tha Adnan Lushtaku për KALLXO.com.

Kurse, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kur u pyet se pse ura është lëshuar për qarkullim pa u testuar struktura e saj, tha se testimi është vetëm formal sepse ura është stabile.

“Dëgjo, duheni me e pyet menaxheren e kontratës, por ura testohet gjatë gjithë fazës se ndërtimit, do të thotë merren atestet paraprake sepse është material. Sasia e armaturës që vendoset aty, çfarë marke e betonit vendoset aty. Merren mostrat edhe dihet se a është ajo markë e beton a jo, a është ajo klasë e armaturës a jo, nëse gjatë këtyre fazave është vendos armatura, është vendos betoni sipas projektit, natyrisht që ura është stabile. Ai testimi është vetëm formal” tha ai për KALLXO.com.

KALLXO.com tentoi të flasë edhe me menaxheren e kontratës, Florije Pajazitin, por deri në publikimin e storjes nuk ishte e qasshme.

Testimi i urës që ka gjatësi rreth 40 metra, ishte paraparë në aneks kontrate të cilën Ministria e Infrastrukturës e nënshkroi kur punimet ishin në fazën fillestare. Sipas paramasës, vetëm testimi i urës do të kushtojë 6000 euro.

Kurse, për testimin e urës së Ibrit që lidhë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, që u bë në gusht të vitit 2024, e cila vazhdon të jetë e mbyllur për automjete, Ministria e Infrastrukturës pagoi 9 mijë e 640 euro.

Ura që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023. Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar bypass-in, që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e Urës.

Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e Urës së re. Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar më 10.01.2024. Vlera e Kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishe 468 mijë e 522 euro

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy