Ura e përfolur në Badovc është lëshuar në qarkullim pa u kryer testimet e parashikuara me ligjet e Kosovës

by engel

Më 31 dhjetor të vitit 2024, ura mbi Liqenin e Badocit u lëshua më në fund për qarkullim. Asfaltimi i saj u bë 355 ditë pas nënshkrimit të kontratës. Megjithatë, edhe pse u lëshua për qarkullim, nuk dihet për stabilitetin e strukturës së saj.

Në urën tek liqeni i Badovcit, tash e tetë ditë kalojnë autobusë, kamionë e vetura. Por, struktura e urës nuk është testuar. Këtë e ka pranuar vetë kompania e cila e ka ndërtuar urën.

banner

Nga kompania “DRENI INGINERING” e cila është përgjegjëse për kryerjen e testimit, thonë se ura është hapur për qarkullim për shkak të festave të fundvitit.

“Unë e bëj testimin e urës, nuk është kryer. Kemi dashtë me e lëshu për qarkullim për shkak të festave dhe në një afat tjetër bahet testimi i urës”- ka deklaruar Adnan Lushtaku për Kallxo.com.

Për lëshimin për qarkullim të kësaj ure pa u testuar struktura e saj, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se testimi është vetëm formal sepse ura është stabile.

Sipas Durmishit, ura është testuar gjatë gjithë fazës së ndërtimit.

“Dëgjo, duheni me e pyet menaxheren e kontratës, por ura testohet gjatë gjithë fazës se ndërtimit, do të thotë merren atestet paraprake sepse është material. Sasia e armaturës që vendoset aty, çfarë marke e betonit vendoset aty. Merren mostrat edhe dihet se a është ajo markë e beton a jo, a është ajo klasë e armaturës a jo, nëse gjatë këtyre fazave është vendos armatura, është vendos betoni sipas projektit, natyrisht që ura është stabile. Ai testimi është vetëm formal”, ka deklaruar Durmishi.

Testimi i urës që ka gjatësi rreth 40 metra, ishte paraparë në aneks kontrate të cilën Ministria e Infrastrukturës e nënshkroi kur punimet ishin në fazën fillestare. Sipas paramasës, vetëm testimi i urës do të kushtojë 6000 euro.

Kurse, për testimin e urës së Ibrit që lidhë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, që u bë në gusht të vitit 2024, e cila vazhdon të jetë e mbyllur për automjete, Ministria e Infrastrukturës pagoi 9 mijë e 640 euro.Ura që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023.

Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar bypass-in, që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e Urës.Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e Urës së re.

Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar më 10.01.2024.

Vlera e Kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishe 468 mijë e 522 euro.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy