Analiza e Friedrich Naumann: Vuçiq po përhap narrativë proruse dhe antiperëndimore, synon Serbinë e Madhe

by Nexhat

“Serbia është aleati më i afërt evropian i Rusisë, ndërsa Presidenti Aleksandar Vuçiq një prej përhapësve kryesor të propagandës së Moskës në rajon”.

Kështu thuhet në analizën “Rusia dhe pionierët e autokracisë, si Kremlini po destabilizon Evropën”, të publikuar nga Fondacioni gjerman Friedrich Naumann.

banner

Autori, Thomas Brey, gazetar dhe profesor, përmend se Vuçiq është takuar 17 herë me homologun rus Putin, e në 2019 u nderua me urdhrin Aleksandar Nevskit në Moskë, i cili zakonisht u jepet figurave të mëdha ruse.

Në analizë theksohet se regjimi në Serbi po përpiqet të zbatojë politikën e “Botës serbe”, bazuar në një projekt i ngjashëm i “Botës ruse”.

“Ky program serbomadh ishte një nga shkaktarët e luftërave të përgjakshme gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Kompania ajrore kombëtare Air Serbia ende fluturon disa herë në javë drejt Moskës dhe qyteteve të tjera ruse. Ka një qendër humanitare ruso-serbe në afërsi të qytetit të Nishit në jug të Serbisë, të cilën kritikët në Perëndim e konsiderojnë qendër për shërbimet e inteligjencës ruse”, shprehet autori.

Autori i analizës shton më tej se mediat proqeveritare në Serbi janë përçuesit kryesorë të propagandës ruse, ku Rusia ngrihet në qiell dhe Perëndimi demonizohet.

Siç thuhet, edhe zyrtarët më të lartë përhapin narrativë proruse dhe antiperëndimore, përfshirë edhe presidentin Vuçiq.

Sipas analizës, narrativa që mbizotëron është se NATO, SHBA apo BE kërcënojnë kombin e tyre.

Brey flet gjithashtu për korrupsion të kudondodhur në Serbi.

Sipas analizës,  Vuçiq vazhdon të përhap propagandë ruse në intervistat e tij për mediat perëndimore.

Theksohet se edhe pse Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Serbisë, ajo shpesh paraqitet në aspektin negativ në Serbi.

Në analizë thuhet se “qoftë ai Putin nga Rusia, Orban nga Hungaria, Vuçiq nga Serbia apo Fico nga Sllovakia – sistemet e tyre të kontrollit politik dhe të ruajtjes së pushtetit janë të njëjta kudo”.

“Në radhë të parë është nacionalizmi i ri, i cili inkurajohet nga pretendimi se vendet fqinje, NATO, SHBA apo BE kërcënojnë kombin e tyre”, thuhet në analizë.

Krahas mediave të centralizuara dhe të censuruara, thuhet në analizë, mjeti kryesor për ruajtjen e pushtetit është minimi sistematik i të gjitha institucioneve shtetërore si parlamenti, qeveria dhe ministritë, gjyqësori, autoritetet lokale dhe organet e pavarura mbikëqyrëse.

“Gjithashtu, tregu i punës është i instrumentalizuar politikisht. Shumë pozicione në administratë dhe ekonomi mund të merren vetëm përmes partisë në pushtet SNS. Nuk është çudi që një dhjetë përqind e pabesueshme e popullsisë së përgjithshme janë anëtarë të SNS. Këta anëtarë luajnë një rol kyç në manipulimin e zgjedhjeve, sepse detyroheshin të mblidhnin vota të besueshme nga familjarët dhe kolegët e tyre”, thuhet në analizë.

Shtohet se Vuçiq, “si në disa reality TV, si president i kudondodhur e mban publikun në emocione të vazhdueshme”.

“Pothuajse çdo ditë ai shfaqet në ekranet televizive, duke folur shpesh me orë të tëra për t’i ekspozuar qytetarët në histori të rëndësishme, të mëdha, të pabesueshme apo dramatike, siç lajmërohen nga mediat qeveritare. Këto janë histori për komplote, krim të organizuar, skenarë frikë për të ardhmen. Investitorët e huaj spektakolar, duke hedhur themele apo duke hapur spitale moderne, rrugë, fabrika, hekurudha dhe termocentrale”, thuhet në analizë.

Shtohet se kjo “fshin plotësisht kufirin mes kreut të shtetit dhe vetë shtetit”, sepse Vuçiq “pohon vazhdimisht se këtë apo atë e ka bërë të mundur, sikur të kishte investuar paratë e tij”.

Analiza gjithashtu thekson se, megjithëse opozita e margjinalizuar në Serbi është kryesisht e përjashtuar nga jeta politike, disa media kritike, gazetarë dhe politikanë janë çdo ditë subjekt i sulmeve dhe turpërimeve nga mediat qeveritare.

“Ata akuzohen vazhdimisht se duan të vrasin presidentin, se kanë shpifur për atdheun e tyre jashtë vendit, se janë të korruptuar dhe të pamoralshëm dhe se janë të kontrolluar nga inteligjenca e huaj. Si mund të kërcënojë një opozitë e dobët presidentin ose – siç pretendohet shpesh – familjen e tij. Kur ai mund të përdorë policinë, shërbimet e inteligjencës dhe madje edhe ushtrinë sipas dëshirës…” thuhet në analizë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy