Një rast i dhunës në familje për të cilin kishte marrë informacion Stacioni Policor Qendra në Prishtinë, doli më pas edhe me një rast tjetër, që kalon te terrorizmi.
B.D., është arrestuar mbrëmë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje, posedim i narkotikëve e përgatitje e veprave terroriste.
KALLXO mëson nga burimet e saj se fillimisht një informatë për një rast të dhunës në familje kishte pranuar Stacioni Policor Qendra në Prishtinë.
Më pas një njësi e reagimit ishte dërguar në vendin e ngjarjes në Breg të Diellit. Ngjarja u trajtua menjëherë ndërsa ekipi reagues i policisë kishte kërkuar të hyj brenda në banesë për të vërtetuar informatën. Me lejen e personit të dyshuar kanë hyrë brenda dhe kanë hasur në një sasi të lëndës narkotike të dyshuar marihuanë e vendosur në një tavolinë
Më pas kanë kryer edhe një kontroll sipërfaqësor, gjatë të cilit kanë hasur në pajisje, municion dhe armë të tipit zolla.
Menjëherë pasi u identifikuan këto armë, u thirr edhe Drejtoria e Anti-terrorit për të trajtuar rastin.
Policia arriti që në banesën e të dyshuarit B.D., të gjej dhe sekuestrojë tri zolla, gjashtë fishekë special, pesë fishekë të tjerë dhe substancë e dyshuar narkotike që dyshohet se është marihuanë, me peshë 269.3 gram, peshore elektronike, një USB, grinder, një telefon dhe dy mbështjellëse të zollave.
Më këtë rast tashmë po merret edhe Prokuroria Speciale. Deri më tani nga informacionet që ka mediumi, prokuroria nuk ka pranuar ende kallëzimin penal ndaj të dyshuarit për të vazhduar më pas me procedurat e tjera.
Pas arrestimit dhe bastisjes, prokurorja ka vendosur që të dyshuarin ta dërgojë fillimisht në mbajtje për 48 orë.