Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka takuar qytetarë të shumtë nga fshati Dobërçan i Komunës së Gjilanit.
Daut Haradinaj ka thënë se kudo që shkon në Kosovë, vërehet një zhgënjim i madh i qytetarëve në raport me qeverinë Kurti.
“Sot, na nderoi me mikpritje në fshatin Dobërçan të Gjilanit, kolegu ynë shumëvjeçar politik, Ibish Ibishi, me vëllezër dhe bashkëfshatarë të tij. Bashkë me kandidatët për deputetë nga Gjilani: Ahmet Isufi, Zarife Asllani, Kushtrim Xhemaili dhe Nazim Gagica, zhvilluam një bisedë të sinqertë me të pranishmit, ku mbizotëronte një zhgënjim i madh me qeverisjen aktuale për shkak të injorimit që i ka bërë Gjilanit qeveria aktuale”, ka thënë Daut Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Gjilani e vuan mungesën e dorës së shtetit, duke shtuar se shumë projekte që nisën gjatë qeverisë Haradinaj, tani janë stopuar.
“Gjilani sot, si gjithë Kosova, vuan mungesën e dorës së shtetit. Shumë projekte që filluan gjatë qeverisjes sonë janë stopuar tërësisht, disa s’kanë filluar asnjëherë, e disa janë zvarritur për shumë vjet. E pashë se Gjilani kishte vendosur të ndëshkonte ata që pritojnë edhe të flasin për Gjilanin e për Anamoravën”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se Gjilani kërkon veprime të menjëhershme.
Kjo komunë e rëndësishme e Kosovës s’mund të injorohet me batuta të kryeministrit. Kjo komunë kërkon veprime të menjëhershme. Pa përfundimin e autostradës dhe zgjerimin e hyrje-daljeve të këtij qyteti, jeta e banorëve po vështirësohet skajshëm. Numri 137 është numri që e nisi dhe do ta përfundojë autostradën
Thuani jo mashtruesve”, ka përfunduar ai.