Kandidatja për deputete e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka njoftuar sot se ka nënshkruar zotimet për mbrojtjen e fëmijëve, fushatë kjo e ndërmarrë nga KOMF.
Lushaku-Sadriu ka thënë se e ka bërë një gjë të tillë, meqë edhe në Kuvend të Kosovës do të jetë zëri i mbrojtjes së fëmijëve.
Njoftimi i plotë:
EDHE NË KUVEND DO TË JEM ZËRI I TYRE
Sapo e nënshkrova zotimin për të mbështetur mbrojtjen e fëmijëve sepse dua të jem zëri i fëmijëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka kërkuar nga kandidatët për deputetë që të mbështesin zotimet për mbrojtjen e fëmijëve. E mbështes pa asnjë rezervë fushatën e ‘Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF’. Me kënaqësi do të investoj në politikat për mirëqenien e fëmijëve pa dallim, duke e bërë atë çështje prioritare për Kuvendin e ardhshëm.
Angazhimi për mirëqenien e fëmijëve për mua është vetëm zgjerim në një dimension tjetër, krahas punës për reformim të arsimit, po ashtu më fëmijë, e nisur në Prishtinë dhe së shpejti e shtrirë edhe nëpër të gjitha komunat e Kosovës.