Bërnabiqi në inaugurim të Maduros në kohën kur ShBA po jep 25 mln $ për “kokën” e tij

by informim peje

Në Venezuelë, u mbajt inaugurimi i presidentit të ri/të vjetër Nicolas Maduro dhe në listën e të ftuarve ndërkombëtarë ishte edhe emri i kryetares së Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Ana Bënabiq.

Kjo e fundit ishte e vetmja përfaqësuese e një vendi evropian në këtë inaugurim, i cili u bojkotua nga një numër i madh i liderëve botërorë.

banner

Ish-kryeministrja e Serbisë mbërriti në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, si e dërguar e presidentit serb Alleksandar Vuçiq, ku u gjend në shoqërinë e “përzgjedhur” – liderët e Kubës dhe Nikaraguas, raporton media kroate “Index”.

Lista e vendeve që bojkotuan këtë inaugurim është dukshëm më e gjatë se lista e vendeve që morën pjesë në inaugurim dhe përfshin anëtarët e Bashkimit Evropian, ShBA-në dhe disa vende që kufizojnë Venezuelën, si Brazili dhe Kolumbia. Përfaqësuesit e Argjentinës dhe Kilit, udhëheqësit e të cilëve e quajtën Maduron një diktator, munguan gjithashtu në inaugurim.

“Faleminderit që nuk e njohët Kosovën”

Kryetarja e Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Ana Bërnabiq, sipas mediave serbe, ka deklaruar sot në Karakas se Venezuela është mike e madhe e Serbisë dhe ka kujtuar se vendi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Venezuela është një nga ato vende që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe rendin juridik ndërkombëtar, paprekshmërinë e kufijve të njohur ndërkombëtarisht të të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Është një nga vendet që qëndron fuqishëm me Serbinë dhe qëndrimin se Kosova është pjesë integrale e Serbisë”, deklaroi Bërnabiq.

Kujtojmë se shumë bojkotuan inaugurimin e presidentit të Venezuelës pasi një sërë organizatash ndërkombëtare vlerësuan se Maduro kishte fituar zgjedhjet në mënyrë të padrejtë. Fituesi i vërtetë konsiderohet kreu i opozitës Edmundo Gonzalez.

ShBA jep 25 milionë $ për “kokën” e Maduros

Antony Blinken, Sekretar i Shtetit të ShBA-së, inaugurimin e sotshëm të Maduros e quajti “të paligjshëm”, duke e cilësuar si “një përpjekje të dëshpëruar për të marrë pushtetin”.

“Populli venezuelian dhe bota e dinë të vërtetën – Maduro ka humbur qartë zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe nuk ka të drejtë të pretendojë presidencën. Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë njoftimin mashtrues të Këshillit Kombëtar Zgjedhor se Maduro fitoi zgjedhjet presidenciale dhe nuk e njeh Nicolas Maduron si president të Venezuelës. Presidenti i sapozgjedhur Edmundo Gonzalez Urrutia duhet të betohet dhe duhet të fillojë tranzicioni demokratik. Ne jemi të gatshëm të mbështesim një kthim në demokraci në Venezuelë”, tha Blinken, raporton Klankosova.tv.

Ai njoftoi se Departamenti i Shtetit ka rritur ofertat e shpërblimeve me nga 25 milionë dollarë “për informacion që çon në arrestimet dhe/ose dënimet e Nicolas Maduros dhe Ministrit të Brendshëm të Maduros, Diosdado Cabello”.

“Departamenti i Shtetit po shton gjithashtu një ofertë të re shpërblimi deri në 15 milionë dollarë për ministrin e Mbrojtjes të Maduros, Vladimir Padrino Lopez. Këto tre oferta shpërblimi rrjedhin nga paditë penale për trafik narkotikësh të shpallura në mars 2020. Departamenti i Shtetit po ndërmerr gjithashtu hapa për të vendosur kufizime të reja vizash ndaj individëve të lidhur me Maduron për rolet e tyre në minimin e procesit zgjedhor ose në aktet e shtypjes në Venezuelë. Deri më sot, Departamenti i Shtetit ka ndërmarrë hapa për të vendosur kufizime të vizave për gati 2,000 individë të lidhur me Maduron”.

“Njëkohësisht, Departamenti i Thesarit po vendos sanksione ndaj tetë individëve të lidhur me Maduron që mbështesin marrjen e paligjshme të autoritetit dhe aktet represive të Maduros në Venezuelë, duke përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë dhe figura politike. Këto përcaktime përfaqësojnë pjesën e tretë të masave të tilla që nga zgjedhjet e 28 korrikut në Venezuelë. Përfshirë veprimet e sotme, Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar individualisht 187 individë aktualë ose ish të lidhur me Maduron për shtypjen dhe frikësimin e opozitës demokratike në një përpjekje të dëshpëruar dhe të paligjshme për të marrë pushtetin me forcë”, theksoi Blinken.

Veprime të ngjashme janë ndërmarrë sot edhe nga Kanadaja, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në një veprim të veçantë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi sot se përcaktimi i Venezuelës në vitin 2023 për Status të Mbrojtur të Përkohshëm do të zgjatet për 18 muaj, “bazuar në emergjencën e rëndë humanitare me të cilën vendi vazhdon të përballet për shkak të krizave politike dhe ekonomike nën regjimin çnjerëzor të Maduros”./Klankosova.tv

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy