Zoran Milanoviq e ka fituar mandatin e dytë si president i Kroacisë të dielën, sipas rezultateve të para pas numërimit të 98.65 për qind të votave.
Milanoviq, nga partia opozitare Partia Social-Demokrate (SDP) – është në rrugën e duhur për t’i fituar 74.58 për qind të votave, sipas numërimit të votave nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kroacisë.Kundërshtari i tij në balotazhin e së dielës, Dragan Primorac, nga partia në pushtet Unioni Demokratik i Kroacisë (HDZ) – i ka fituar 25.42 për qind të votave.Dalja në zgjedhjet presidenciale në Kroaci – vendin anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – ishte 44.15 për qind, sipas të dhënave fillestare.
“Kroaci, faleminderit”, tha Milanoviq para gazetarëve.“Kjo është një ditë e madhe për mua personalisht. Këtë fitore e shoh si njohje për punën time, një lloj besimi i popullit në mua”, tha ai.
Roli i presidentit në Kroaci është kryesisht ceremonial.
Kreu i shtetit nuk mund të vërë veto ndaj ligjeve, megjithëse ka fjalën e tij në politikat e jashtme dhe në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjatë mandatit të tij, Milanoviq – një ish-kryeministër populist – e ka kundërshtuar kryeministrin Andrej Plenkoviq në lidhje me politikat e jashtme dhe publike.
Kush është Zoran Milanoviq?
I parë shpesh si gjaknxehtë dhe arrogant, Zoran Milanoviq viteve të fundit e ka përdorur gjithnjë e më shumë retorikë populiste dhe shpesh fyese për të kritikuar Bashkimin Evropian dhe zyrtarët lokalë.
I diplomuar në Drejtësi, ai ka qenë një nga figurat më dominuese në politikën e Kroacisë për gati dy dekada.
Një person kalon me biçikletë pranë bilbordeve të kandidatëve për president në Kroaci. Zagreb, 26 dhjetor 2024.
Si diplomat karriere në Ministrinë e Jashtme gjatë luftës së Kroacisë për pavarësi në vitet 1990, ai më vonë ka shërbyer edhe në misionin e Zagrebit në BE dhe në NATO, në Bruksel.
Ai ka hyrë në politikë në vitin 1999, duke iu bashkuar Partisë Social-Demokrate (SDP) – dikur parti komuniste – dhe është bërë lider në vitin 2007.
Millanoviq ka shërbyer si kryeministër nga viti 2011 deri më 2016.
Por qeveria e tij, e cila ka mbikëqyrur anëtarësimin e Kroacisë në BE në vitin 2013, ka dështuar t’i zbatojë reformat shumë të nevojshme, duke shkaktuar ngecje ekonomike.
Pas humbjes së SDP-së në zgjedhje, Milanoviq është larguar nga udhëheqja e saj në vitin 2016 dhe është tërhequr nga politika për të punuar si konsulent.
Tre vjet më vonë, ai është rikthyer si kandidat i kësaj partie për president.
Gjatë fushatës presidenciale, Milanoviq, 58 vjeç, i cili është marrë me boks në të 20-at e tij, ka arritur ta mbajë kryesisht nën kontroll temperamentin e tij shpërthyes.
Ai është zotuar se do të jetë një mburojë kundër dominimit të plotë të partisë konservatore, HDZ, e cila udhëhiqet nga rivali i tij prej kohësh, kryeministri Andrej Plenkoviq.
Kjo parti ka qenë në pushtet që nga viti 2016.
“Kroacia nuk do të jetë një vend, në të cilin një njeri vendos për gjithçka”, ka shkruar ai në Facebook, duke iu referuar Pllenkoviqit.
Milanoviq është i martuar dhe ka dy djem./REL