Në Bruksel mbahet takimi i parë për personat e zhdukur, familjarët skeptikë për rezultatet

by Nexhat

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Takimi vjen si pjesë e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy palëve, por familjarët e të zhdukurve kanë shprehur skepticizëm për ndonjë progres konkret.

banner

Ahmet Grajçevci, përfaqësues i Këshillit të familjarëve të zhdukur, deklaroi në TV Dukagjini se nuk pret ndonjë rezultat nga ky takim. Sipas tij, çështja e personave të zhdukur është politizuar dhe nuk trajtohet si një problem humanitar.

“Ky takim nuk do të ketë risi. Ata e dinë se ku kanë përfunduar familjarët tanë, por Serbia nuk tregon për varrezat masive. Kjo çështje është dashur të përmbyllet më herët, por trysnia ndërkombëtare ka qenë neglizhente. Serbia ka të gjitha të dhënat, çdo gjë është e dokumentuar dhe e filmuar,” tha Grajçevci.

Edhe Aid Çerkini, nipi i Bajram Çerkinit, një prej personave që ka humbur anëtarë të familjes gjatë luftës, shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e rezultateve të pritshme. Ai tha se takimi i parë do të jetë vetëm informues dhe nuk pret “vlerë më të madhe” nga ky proces.

“Shpresoj se marrëveshja e Ohrit do të zbatohet, por ky takim fillestar nuk pritet të sjellë diçka konkrete. Familjet ende shpresojnë, por duhet presion më i madh nga faktori ndërkombëtar,” u shpreh Çerkini.

Ai shtoi se gjyshi i tij, Bajram Çerkini, që ka kërkuar për vite me radhë të dashurit e humbur, është në gjendje të rëndë shëndetësore. “Shpresoj që një ditë të flejmë të qetë dhe të kemi se ku të vendosim lule pranë varrit të më të dashurve tanë,” tha Çerkini.

Procesi për zbardhjen e fatit të mbi 1,600 personave të zhdukur gjatë luftës mbetet një ndër çështjet më të ndjeshme në dialogun Kosovë-Serbi. Familjet e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe transparencë, ndërsa trysnia ndërkombëtare mbi të dyja palët konsiderohet vendimtare për përparimin e këtij procesi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy