Hamasi ka pranuar marrëveshjen për armëpushimin me Izraelin.
Ky fakt është bërë i ditur nga Agjencia e Lajmeve Reuters sipas si cilës, 24 orët e ardhshme do të jenë thelbësore për miratimin përfundimtar të marrëveshjes.
Burimet e mediave izraelite pranë Hamasit citojnë Mohammed Sinwar, vëllain më të vogël të liderit të Hamasit Yahya, se do të marrë vendimin përfundimtar për grupin militant palestinez.
“Duket sikur po shkojmë drejt një marrëveshjeje: Izraeli ka qenë shumë fleksibël ditët e fundit për një numër çështjesh, por ne presim përgjigjen e Hamasit dhe vetëm atëherë do të jemi të sigurt”, tha një zyrtar izraelit për Reuters.
Në një shënim të publikuar së fundmi, Hamasi u komunikon të burgosurve palestinezë se “ata janë afër çlirimit të tyre”. Organizata terroriste e Gazës postoi të njëjtën frazë në kanalin e saj Telegram, menjëherë pas shënimit.
Ndërmjetësuesit i dhanë Izraelit dhe Hamasit një draft përfundimtar të një marrëveshjeje të hënën për t’i dhënë fund luftës në Gaza, tha një zyrtar i informuar mbi negociatat, citon Reuters. Zyrtari tha se teksti për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve u paraqit nga Katari për të dyja palët në bisedimet në Doha, ku përfshiheshin shefat e agjencive të spiunazhit izraelit Mossad dhe Shin Bet dhe kryeministrin e Katarit.
Për aleatët e Benjamin Netanyahut në qeverie, marrëveshje me Hamasin do të jetë një katastrofë.
“Marrëveshja që po merr formë është një katastrofë për sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit. Ne nuk do të jemi pjesë e një marrëveshjeje dorëzimi që do të përfshinte lirimin e krye-terroristëve, ndalimin e luftës dhe shpërbërjen e arritjeve të saj që u blenë me shumë gjak, dhe duke braktisur shumë pengje”, tha Ministri i Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich.
“Negociatat për disa çështje thelbësore kanë bërë përparim dhe ne po punojmë për të përfunduar atë që mbetet së shpejti,” i tha Reuters të hënën një zyrtar i Hamasit, duke kërkuar të mos identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Ndërkohë një zyrtar palestinez i afërt me bisedimet tha për Reuters se informacioni nga Doha ishte “shumë premtues”, duke shtuar: “Hapësirat po ngushtoheshin dhe ka një shtytje të madhe drejt një marrëveshjeje nëse gjithçka shkon mirë deri në fund”.
Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë punuar për më shumë se një vit në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Gaza, deri më tani pa rezultat.