Hamasi pranon projekt marrëveshjen për armëpushim në Gazë dhe lirim të pengjeve

by Nexhat

Zyrtarët thanë sot se grupi militant palestinez Hamas ka pranuar projekt-marrëveshjen për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve. Sipas Katarit, që ndërmjetësoi bisedimet, negociatat mes Izraelit dhe Hamasit janë “më afër se ndonjëherë” për arritjen e një marrëveshjeje. Përparimin në bisedime e konfirmoi edhe pala izraelite, por tha se hollësitë ende janë duke u përfunduar. Projekt-propozimi parashikon një marrëveshje të ndarë në tre faza, duke filluar me ndërprerjen e luftimeve, shkëmbimin e pengjeve me të burgosur palestinezë, tërheqjen e forcave izraelite nga disa pjesë të Gazës dhe futjen e ndihmës humanitare.

Zyrtarët u shprehën optimistë të martën se mund të sigurojnë një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit para 20 janarit, ditës së inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit tha se negociatat janë pozitive dhe produktive, por pa dhënë detaje të tjera.

banner

“Projekt-marrëveshja u është dërguar dyja palëve. Po, pengesat në çështjet kryesore të diskutueshme mes dyja palëve janë tejkaluar. Tani po vazhdojnë diskutimet rreth hollësive përfundimtare… Është e vështirë, sidomos duke u bazuar në përvojën e kaluar, të vendosim një afat se kur mund të shpallet marrëveshja, por mund të them se sot jemi më afër se kurrë më parë për arritjen e saj”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari

Zyrtarë izraelitë e konfirmuan përparimin dhe thanë se plani do t’i dërgohet kabinetit qeveritar për miratim. Hamasi njoftoi përmes një deklarate se negociatat kanë hyrë në “fazën e fundit”.

Presidenti i zgjedhur Trump deklaroi të hënën në mbrëmje se marrëveshja e armëpushimit është “shumë afër” për t’u arritur.

Në një intervistë për kanalin amerikan Newsmax, zoti Trump, i cili ka dërguar përfaqësuesin e tij në negociatat që po mbahen në Doha të Katarit, tha se “ka patur shtërngim duarsh dhe se ndoshta marrëveshja do të arrihet deri në fund të javës”.

Edhe Presidenti Joe Biden e konfirmoi përparimin.

“Më në fund, jemi në prag të arritjes së marrëveshjes bazuar planin që propozova para disa muajsh. Nga përvoja ime në shërbimin publik kam mësuar se kurrë, kurrë, nuk duhet të dorëzohesh… Kanë kaluar nëpër ferr. Janë vrarë shumë njerëz të pafajshëm, shumë komunitete janë shkatërruar. Palestinezët meritojnë paqen dhe të drejtën për të përcaktuar fatin e tyre. Izraeli meriton paqe dhe siguri të qëndrueshme. Pengjet dhe familjet e tyre meritojnë të bashkohen Po bëjmë përpjekje që urgjentisht ta arrijmë këtë marrëvëeshje”, deklaroi ai

Marrëveshja me tre faza, fillon me lirimin gradual të 33 pengjeve, përfshirë gra, fëmijë, të moshuar dhe civilë të plagosur në këmbim të qindra grave dhe fëmijëve palestinezë të burgosur nga Izraeli, brenda një periudhe gjashtë javore.

Në mesin e 33 pengjeve do të jenë pesë ushtaret izraelitë. Ata do të këmbehen me 50 të burgosur palestinezë, 30 prej të cilëve janë militantë të dënuar me burgim të përjetshëm. Deri në përfundim të fazës së parë, të gjitha pengjet civile – të gjallë apo të vdekur – parashikohet të jenë liruar, sipas projekt-marrëveshjes, të siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Gjatë këtyre 42 ditëve të para, forcat izraelite do të tërhiqen nga qendra e populluara, palestinezëve do t’u lejohet të fillonë kthimin nëpër shtëpitë e tyre në Gazën veriore dhe do të shtohet sasia e ndihmave humanitare që hynë në enklavë.

Detajet për fazën e dytë të marrëveshjes duhet të diskutohen gjatë fazës së parë. Marrëveshja nuk përfshin garanci të shkruara se armëpushimi do të mbetet në fuqi ndërkohë, duke i lënë mundësi Izraelit të rifillojë fushatën ushtarake pas përfundimit të fazës së parë, por ndërmjetësit ndërkombëtarë i kanë dhënë Hamasit garanci.

Sipas marrëveshjes, Izraelit do t’i lejohet që gjatë fazës së parë të mbajë nën kontroll Korridorin Filadelfi, një pjesë e territorit që shtrihet përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, por do të tërhiqet nga korridori që ndanë Gazën në mes.

Në fazën e dytë, Hamasi duhet të lirojë pengjet e tjera që janë gjallë, kryesisht ushtarë, në këmbim të të burgosurve tjerë palestinezë dhe “tërheqjes së plotë” të forcave izraelite nga Gaza.

Nëse ndërkohë nuk negociohet një qeveri alternative për të qeverisur Gazën në këto bisedime, atëherë Hamasi do të vazhdojë të ketë kontrollin mbi këtë territor.

Në fazën e tretë, trupat e pengjeve të vrara do t’i kthehen Izraelit në këmbim të një plani 3 deri 5 vjeçar rindërtimi të Gazës, që do të bëhet nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. /VOA

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy