Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, prezantun sot planin ambicioz të investimeve për kryeqytetin.
Me fokus të veçantë në transformimin e jetës së qytetarëve, ky plan kap shumën prej 1.5 miliardë eurosh, duke premtuar ndryshime rrënjësore në infrastrukturë, shëndetësi, kulturë, arsim dhe sport.
Ky program, tha Abdixhiku, “do ta transformojnë jetën në kryeqytet, dhe do t’i japin fund pengesave që burojnë nga përçarja e që nuk ofrojnë asgjë për qytetarët.
Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Prishtinës
Me një investim prej 360 milionë eurosh, LDK u zotua për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Prishtinës.
Abdixhiku tha qëllimi i ndërtimit të Unazës së Jashtme është se “shkarkimi i trafikut dhe përmirësimi i qarkullimit në kryeqytet.”
“€360 milionë euro për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Prishtinës, për shkarkimin e trafikut dhe përmirësimin e qarkullimit në kryeqytet.” – tha Abdixhiku.
Zgjerimi i Mësimit Tërëditor
Një nga zotimet kryesore të Abdixhikut përgjatë kësaj fushate zgjedhore ka qenë ai për zgjerimin mësimit tërëditor
Për kryeqytetin e Kosovës, kreu i LDK-së u zotua se do të bëhet ndarja e 200 milionë eurove për zgjerimin e këtij sistemi për klasat 1 deri në 5.
“200 milionë euro do të investohen në zgjerimin e mësimit tërëditor për klasat 1 deri në 5, duke përmirësuar arsimimin e brezave të rinj.” – bëri të ditur kryetari i LDK-së.
Spitali i Ri
Abdixhiku u zotua për ndërtimin e Spitalit të Ri në vlerë 500 milionë euro me 150 mijë metra katrorë hapësirë, 38 klinika dhe pajisje të teknologjisë së fundit.
Ai tha se spitali do të ndërtohet në standardet që “përmbush nevojat shëndetësore të qytetarëve për 50 vitet e ardhshme.”
“€500 milionë për ndërtimin e Spitalit të Ri të Kosovës, me 150 mijë metra katrorë në lokacion të ri, me 38 klinika e me pajisje moderne për të përmbushur nevojat shëndetësore të qytetarëve për 50 vitet e ardhshme.” – tha Abdixhiku.
Qendra Kombëtare e Sportit
Një investim prej 120 milionë eurosh do të sjellë një Qendër Sportive me me Stadium Kombëtar, Pishinë Olimpike, Qendër Hotelierike dhe Komerciale, Gqming Hall, Pallat Kombëtar dhe Fakultet të Edukatës Fizike, njoftoi kandidati për kryeministër i LDK-së, së bashku me kryetarin Rama.
Kompleks i Madh Kulturor
Për kulturën dhe artin, LDK ka planifikuar 100 milionë euro për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Teatrit të Operas dhe Baletit, Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe Muzeun e Paqes dhe Rezistencës.
Qendra Kombëtare për Inteligjencë Artificiale dhe Parku Teknologjik
Me një investim prej 30 milionë eurosh, Prishtina do të bëhet një nga qendrat kryesore teknologjike në rajon, duke promovuar zhvillimin dhe inovacionin, bëri të ditur Abdixhiku.
“€30 milionë për themelimin dhe ndërtimin e Qendrës Kombëtare për Inteligjencë Artificiale dhe ndërtimi i Parkut të Ri Teknologjik.” – tha kreu i LDK-së.
Dyfishimi i Projektit të Kogjenerimit
Abdixhiku dhe Rama njoftuan më tej se plot 120 milionë do të ndahen për “dyfishimin e projektit të kogjenerimin ku përfiton Prishtina metropolitane.”
Abdixhiku e mbylli prezantimin e planit për kryeqytetin duke thënë se “Prishtinën po e bëjmë, Kosovën do ta bëjmë, ndryshimin për jetë më të mirë do ta sjellim – bashkë!”