Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se diskutimi për institucionet e Serbisë në Kosovë do të duhej të bëhej se pse kanë qenë të hapura deri sot e jo sipas tij pse janë mbyllur sot.
Krasniqi ka shtuar se qytetarët e Kosovës, i kanë komunat e Kosovës, Postën e Kosovës si dhe Administratën Tatimore të Kosovës, sikurse të gjitha institucionet e tjera të bazuara në Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionet në fuqi
“Tashmë janë mbyllur Institucionet paralele kriminale të Serbisë në Kosovë. Komunat paralele, Posta paralele, Administratat Tatimore paralele. Qytetarët e Kosovës, i kanë komunat e Kosovës, Postën e Kosovës si dhe Administratën Tatimore të Kosovës, sikurse të gjitha institucionet e tjera të bazuara në Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionet në fuqi. Diskutimi për institucionet e Serbisë në Kosovë nuk do të duhej të bëhej se pse janë mbyllur sot, por si kanë qenë të hapura deri sot”, ka shkruar ai në Facebook,
Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, posta e zyre tatimore në dhjetë komuna të ndryshme.
Aksione policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se sipas saj nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjës