Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka qenë në vizitë në Komunën e Shtërpces.
Ai është takuar me kryetarin e kësaj komune, Dalibor Jevtic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se është ndalur edhe në qendrën e skijimit të Brezovicës, duke thënë se ka pamje të bukura e me potencial për zhvillim turistik.
“Shtërpca, e cila duket kaq piktoreske në dëborë, është një shembull i shkëlqyer i një komune multietnike. Gjatë vizitës sime sot pata një bisedë të sinqertë me kryetarin Dalibor Jevtic dhe një diskutim gjithëpërfshirës me një grup të ndryshëm përfaqësuesish nga komuniteti serb i Kosovës. Ndalova edhe në qendrën e skijimit të Brezovicës në malet e bukura të Sharrit, jo vetëm për të parë pamjen e mrekullueshme por edhe potencialin e saj për zhvillim turistik. Faleminderit të gjithëve për mikpritjen dhe bisedat e sinqerta me ne”, ka shkruar ai në Facebook, të enjten.