Kurti s’e ndal gjuhën denigruese ndaj opozitës – qytetarëve u kërkon ta përjetojnë fushatën sikur ai

by Nexhat

Pasi e nisi fushatën duke u përpjekur t’i vendoste qytetarët në dy pole: kombëtarë e zuzarë, Albin Kurti ka vazhduar përpjekjen e tij për t’i bindur qytetarët se duhet ta mbajnë në pushtet ende. Por për këtë, ai së fundmi shprehu njëfarë pasigurie, ndërsa u kërkoi të pranishmëve në një tubim në Kaçanik që sikurse ai vetë, të mos i përjetojnë si normale ditët që kanë mbetur deri në zgjedhjet parlamentare. Partitë opozitare i ofendoi me gjuhë denigruese sërish. Për gjuhën e kryeministrit, kjo parti u dënua nga PZAP.

Kryeministri Albin Kurti do që të mbetet në pushtet me çdo kusht. Për këtë, siç tha në një tubim në Kaçanik të martën, po përpiqet ta bëjë “ditën 25 orë”.

banner

Në një dhomë, ai ua shprehu disa burrave dronë e tij se Lëvizja Vetëvendosje mund të mos e arrijë të fitojë mjaftueshëm vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit për të qeverisur vetë.

“Që s’e mbërrijmë na, këta tjerët kanë me u bë bashkë, mundet me u bë, e tani sa e majnë ta këqyrim”, u dëgjua duke u thënë Kurti atyre, të cilëve u foli keq edhe për analistët në studiot televizive.

Në tubimin e organizuar në Kaçanik, ai u kërkoi të pranishmëve që sikurse ai vetë, të mos i përjetojnë si normale ditët që kanë mbetur deri në zgjedhje.

“Këto tri javë e gjysë ne nuk duhet t’i përjetojmë si javë normale”, u tha Kurti atyre.

“Le të jenë këto tri javë e gjysmë kur ne sakrifikojmë pak nga jeta e përditshme e punojmë shumë në mënyrë që të mos na ngelet asnjë merak apo pishman pas zgjedhjeve”, porositi ai, duke u kërkuar që të angazhohen për të bindur familjarë, kolegë, shokë e shoqe e fqinj për të votuar për partinë e tij.

Atyre u foli për qindra mijëra njerëz që tha se janë punësuar gjatë qeverisjes së tij.

“Kosovën e kemi gjetë me 350 mijë të punësuar tash i kemi 430 mijë të punësuar. Kjo do të thotë që i kemi për më pak se katër vjet 80 mijë më shumë të punësuar në Republikën e Kosovës cep më cep. E a e dini sa janë 80 mijë për katër vjet? Janë 55 të punësuar mesatarisht për çdo ditë. Për çdo ditë Kosovës gjatë katër vjet qeverisjeje iu kanë shtu nga 55 të punësuar të rinj, që dmth për çdo ditë në këto katër vjet është themelu një kompani e re, një firmë e re, një biznes i ri me 55 të punësuar të ri në Republikën tonë të dashur”.

Pas Kaçanikut, shkoi në Han të Elezit, ku zgjodhi një anekdotë me hajdutë për t’ua thënë të pranishmëve.

“Dy hajna vidhshin bashkë, edhe një natë shkuan për ta vjedhë bashkë një kope dele, një tufë dhenë. Edhe shkuan natën me vjedhë bashkë, vodhën sa mundën, kur zbardhi dita njëri hajn po i thotë tjetrit: e paskemi vjedhë edhe një thi, një derr. E ky tjetri hajn po i thotë atij: haram është. Me i vjedhë dhentë është haram se me vjedhë është haram”, tha ai.

Duke iu referuar partive opozitare, Kurti tha se “njerëzit si ata që e vjedhin shtëpinë e masanej ta premtojnë një bakshish, nuk kanë çka lypin as në politikë, se lëre më në qeveri”.

Në Podujevë, të nesërmen, zgjodhi ta sulmonte me denigrim Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke përdorur termin pezhorativ “LDKyhi”. Para se ta përmendte opozitën, ai tha “me nder me thënë”, si togfjalëshi që e përdorin shqiptarët si për të paralajmëruar përdorimin e një fjale banale në vijim.

“LDKyhi, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është lidhje, por është lodhje, dhe nuk është demokratike por është dokrratike. E në përgjithësi, me nder me thënë opozita, po i japin zor mule anej, mule këndej për vend të dytë. Po get e kanë pa edhe ata vetë që s’ka ymyt se qashtu qysh Shpejtimi i ka mbytë në Llap, Vetëvendosja po i mbytë cep më cep në Republikën e Kosovës”, tha lideri i LVV-së.

I përmendi subvencionet në bujqësi dhe shpenzimet në mbrojtje për shkak se, siç tha Kurti, “buka dhe pushka janë dy siguritë më urgjente, më prioritare, më të domosdoshme për një shtet e për një komb”.

“Partitë e tjera nuk janë në tokë të bukës. Me qeverinë tonë, në sofrën tonë, e kemi bukën tonë, nga toka jonë”, tha ai.

Disi e përsëriti një zotim i cili i është përmendur Kurtit për mosmbajtjen e tij gjatë mandatit qeverisës: se familjarët dhe farefisi i zyrtarëve të partisë nuk do të punësoheshin në institucione

“Me qeverinë tonë kriter për punësim është profesionalizmi dhe aftësia, ndershmëria e devotshmëria dhe jo lojaliteti partiak a mbiemri i farefisit”, tha Kurti në Llap.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro për shkak të “gjuhës nxitëse, provokuese, denigruese, fyese e nënçmuese” të përdorur nga kryeministri Albin Kurti. PZAP tha se ai ka përdorur edhe “terme pezhorative, përbuzje dialektike, provokime direkte ndaj kundërshtarëve politikë, me theks të veçantë Lidhjes Demokratike të Kosovës”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy