Ministria në Maqedoninë e Veriut i referohet Kosovës si “Kosovë e Metohi”, MPJD shpreh indinjatë

by Nexhat

Një komunikatë e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut, ka zgjuar indinjatë te autoritetet e Kosovës, por pavarësisht reagimeve, ajo nuk është hequr nga faqja e ministrisë së shtetit fqinj. Në atë komunikatë, Kosova është shënuar si “Kosovë e Metohi”, një term që e përdorin zyrtarët në Serbi, të cilët edhe e kontestojnë pavarësinë e shtetit më të ri në Europë.

Në këtë publikim flitet për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërkomunitare në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviç në kampin e sportit “Serbia të thërret ty”, i mbajtur mes datave 1-11.08.2024 në Serbi.

banner

Në pjesën e publikimit ku përmenden fëmijët që kanë marrë pjesë në këtë kamp, Kosova është shënuar si “Kosova dhe Metohija”.

Ndonëse njoftimi nuk ka datë të publikimit, ministri Stoilkoviç, njoftoi për pjesëmarrjen e tij në këtë kamp

Për të kuptuar pse Kosovës iu referua me “Kosova dhe Metohija” nga një Ministri e Maqedonisë së Veriut, KALLXO.com ka drejtuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të këtij shteti, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Ngjashëm si në MPJ-në e Maqedonisë së Veriut, pyetje iu drejtuan edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për të marr qëndrimin e shtetit rreth këtij rasti, njëherësh për të kuptuar nëse është komunikuar me Qeverinë maqedonase për këtë çështje.

Në MPJD thonë se e kanë përcjell verbalisht indinjatën dhe përmes Ambasadës në Shkup u kanë dërguar notë autoriteteve në Maqedoninë e Veriut.

“MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në lidhje me këtë rast ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku është përcjellë verbalisht indinjata jonë lidhur me një referencë të papranueshme për Republikën e Kosovës në një faqe zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Ambasada ka dorëzuar notë, në të cilën përcillet qëndrimi i shtetit të Kosovës lidhur me këtë çështje” – thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, nuk u është përgjigjur pyetjeve përkitazi me rastin.

Për postimin nga zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërkomunitare, Ivan Stoilkovic, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti ka thënë është votuar për interpelancë ndaj tij.

“Ne nuk e mohojmë se Stolkovic-i është përfaqësues i serbëve dhe nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar e as të mendojë si ne. Takimi i parë i Kryeministrit Mickovski ka qenë me Kryeministrin Kurti. Takimi i parë i përbashkët i kësaj Qeverie ka qenë me Qeverinë e Republikës së Kosovës në Prishitinë, kështu që nuk mund të vemë paralele në mes të Stoilkoviçit dhe politikave të Qeverisë për Open Balkanin apo kundër Open Balkanit” – ka deklaruar Mexhiti

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 18.11.2024, në konferencë për media pas mbledhjes së përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, deklaroi se qëndrimi i vendit që ai e dhëheq për Kosovën është i qartë.

“Nuk ka nevojë ta përsërisim tërë kohën sepse do ta humbim esencën nëse e bëjmë këtë. Kjo që ndodh sot dhe paraprakisht në Shkup, në vet fillimin e pavarësisë së Kosovës, që e bëri Qeveria e Maqedonisë me pranimin e pavarësisë së saj është e qartë. Parametër i qartë se cili është qëndrimi ynë” – kishte deklaruar Mickoski më 18.11.2024.

Republika e Maqedonisë së Veriut (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, që quhej në atë kohë), ka njohur pavarësinë e Kosovës më 09.10.2008, bazuar në Listën e Njohjeve të publikuar nga MPJD.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy