Ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe njëherë do të duhet të votojnë nga Haga, për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Në qendrën e paraburgimit në kuadër të Dhomave të Specializuara për Kosovën janë duke qëndruar 12 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Nga Gjykata Speciale, në një përgjigje për Dukagjinin thanë se është çështje personale e tyre të vendosin se kur do të votojnë, por se i kanë marr të gjitha masat që kjo e drejtë t’u garantohet.
“Janë marrë të gjitha masat paraprake që të paraburgosurit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre si qytetarë të Kosovës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Se a do të vendosin të votojnë dhe kur do ta bëjnë këtë është çështje personale e të paraburgosurve për të cilën nuk mund të komentojmë.”
Me këtë po pajtohen edhe monitoruesit e IKD-së e sipas KQZ-së kjo është përmbushur.
“Ashtu siç ndodh edhe në Kosovë që KQZ-ja organizohet që të shkojë në qendra të ndalimit në tërë territorin e Kosovës, që çdo i burgosur të ketë mundësinë që të votojë, ngjashëm duhet të ndodhë edhe në Hagë, ne e kemi ambasadën atje dhe KQZ-ja duhet ti përmbush obligimet e saj”, ka thënë hulumtuesja në IKD, Blendina Veliqi,
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për shtetasit e Kosovës të cilët ndodhën në Hagë. Procesi i votimit do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzit, ndërkohë që Salih Mustafa e Pjetër Shala, tashmë janë dënuar për vepra të tilla
Ndërkaq, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari e Haxhi Shala akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton RTV Dukagjini