Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 23-vjetorin e vrasjes së veprimtarit, Smajl Hajdaraj, e ka përkujtuar dhe nderuar jetën e tij.
Abdixhiku tha se Hajdaraj mbetet personalitet qendror në historinë e rrugëtimit të shenjtë për liri, pavarësi e demokraci,
“Smajl Hajdaraj ishte patriot, veprimtar, intelektual, deputet, luftëtar i paepur, bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova e RUGOVIST shembullor. Heroi i Kosovës, Smajl Hajdaraj mbetet personalitet qendror në historinë e rrugëtimit të shenjtë për liri, pavarësi e demokraci. Ishte patriot i orëve më të rënda të vendit tonë. Veprimtar i lëvizjes pavarësiste të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Komandant e luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e po ashtu edhe deputet i lirisë”, ka shkruar Abdixhiku.
“Në 17 janarin e vitit 2002, atëherë kur Kosova veçse ishte çliruar nga okupuesi serb, veprimtarit të çështjes kombëtare e ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Smajl Hajdarajt, iu ndal dhunshëm aktiviteti dhe puna nga dora e lig e krimit, që nuk e donte Kosovën e lirë. Dhimbja bëhet edhe më e rëndë kur edhe sot pas 23 vitesh nuk janë zbuluar autorët e krimit. Lidhja Demokratike e Kosovës nderon dhe kujton jetën e veprën e Smajl Hajdarajt e cila mbetet historike për Kosovën. Lavdi!”