Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një kryeministër, por para së gjithash bëhen për të përcaktuar të ardhmen e Kosovës.
Kështu deklaroi Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Deçan.
Këtë qytet, Abdixhiku e cilësoi si vendin me potencial të madh për të investuar në fushën e turizmit, andaj premtoi miliona euro.
“Jam shumë i lumtur që jam në Deçanit e heroit, Sali Çekaj, jam i lumtur që jam në qytetin e kolonel, Tahir Zemaj dhe jam i lumtur që ky aktivitet po mbahet në pallatin ku mban emrin e heroit, Jusuf Gërvalla. Këto zgjedhje, nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, por, para së gjithash, bëhen për të përcaktuar të ardhmen e Kosovës. Si një shtet në zhvillim, me njerëz që bëjnë jetën këtu, si një shtet të hapur në procesin e rrjedhave botërore, dhe jo si një vend i zymtë, ipropagandës, përçarjes, mbylljes e sanksioneve, ekonomike e politike”.
“Ne nuk duam të ankohemi, ne duam të punojmë. Të punojmë fort e me përkushtim, me dije e duke dhënë përgjegjësi përpar jush. Prandaj, në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5% rritje ekonomike. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë. Prandaj, në javën e parë, pra në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë – mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit – do t’ua rrisim pagat, me koeficient 150”, u shpreh Abdixhiku.
“Në Kosovën e territ, të qirinjve e të reduktimeve, në Kosovën ku nuk ka rrymë sepse pushteti tallet duke thënë ‘paskemi zhvillim ekonomik’, në këtë Kosovë, do të ndërtojmë Centralin e ri me Gaz në Ferizaj. 500 milionë euro investim, për centralin me gaz amerikan, për të dhënë fillimisht furnizim me energji, e më pas edhe energji më të lirë. Sepse, për ne, të djathtit, Lidhjen Demokratike, energjia është ekonomi dhe siguri. Prandaj, energji me gaz, prandaj energji me gaz amerikan”.
“Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin të shqetësuar, tek kërkojnë shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona të frikësuara, këtu, në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja – shëndetësi moderne, ashtu siç e meriton vendi ynë i bukur. E për të gjithë fëmijët e Kosovës, ata që qëndrojnë sot 4 orë në shkollë, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të sigurojë mësim gjithëditor”.