Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi këtë të premte se brenda një periudhe 16-mujore, qeverisja e Partisë Demokratike do të godasë organizatat kriminale vendase dhe rajonale.
Ai theksoi se një nga emergjencat më të mëdha për Shqipërinë është pastrimi i Policisë së Shtetit nga individët e përfshirë në krime si trafiku i drogës dhe krimet elektorale.
Berisha garantoi se çdo punonjës i policisë që ka lidhje me krimin do të largohet dhe do të ndëshkohet.
Gjithashtu ai premtoi se do të eliminohen lidhjet e politikës me krimin duke përmendur edhe krijimin e një “Komisioni të të Vërtetës” për zbardhjen e lidhjeve të politikës me krimin dhe dënimin e atyre që kanë përfituar nga këto aktivitete kriminale.
Berisha nënvizoi se Shqipëria do të dalë nga harta e kultivimit të kanabisit dhe narkotikëve në një periudhë 18-mujore.
Pjesë nga deklarata e Sali Berishës: Zero tolerancë në lidhjet me krimin
“Të gjithë ata persona, anëtarë të Policisë së Shtetit që kanë disponuar informacione për përfshirjen në aktivitete kriminale nga punonjës të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës, të vendit apo të huaj, edhe ata do të largohen nga Policia e Shtetit.
Garantoj se, çdo efektiv i Policsë së Shtetit që është implikuar në krim elektoral në forma të ndryshme, do të ndëshkohet. Jo vetëm do të largohet nga policia, por do të ndëshkohet rëndë për krimin elektoral, si një krim kushtetues, si një krim i rëndë politik, si një atentator ndaj demokracisë së vendit.
Në programin tonë, në rast se do e nisim nga pastrimi i shtëpisë tonë, ne do të kalojmë në luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kjo luftë synon goditjen dhe çmontimin e të gjitha grupeve dhe organizatave kriminale, vendase, rajonale dhe kudo që ndodhen në një afat kohor 16 mujor. Ne u shpallim luftë atyre dhe i garantoj se nuk do të ketë paqe me ta, deri në vendosjen e tyre para ligjit.
Le të shkojnë ku të dojnë, në Dubai apo ne Zelandën e Re, Australi apo Afrikë të Jugut. Do të kapen dhe do të vendosen para ligjit. Shkatërrimi i bandave shqiptare është detyrë mbi çdo detyre.
Janë këto banda që po shkatërrojnë me narkoeurot ekonomi shqiptare.
Janë këto banda që po shkatërrojnë demokracinë në Shqipëri, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Beteja ndaj tyre do të jetë përparësi absolute dhe u them atje ku janë, kudo që ndodhen, kthehuni pak prapa dhe kujtoni, se ku janë gjetur bosët. Nuk jemi ne të taktikës ‘të hanë kokat e njëri-tjetrit’. Jo jo, kokat do të ua hajë ligji atyre. Kjo është taktika jonë.
Në një hark kohor 18 mujor, Shqipëria del nga harta kultivimit të kanabisit dhe i çdo lloj bime tjetër narkotike.
Me gërshërë do të priten të gjitha lidhjet e politikës me krimin. Është minierë floriri arkiva e bisedave telefonike, me telefona të koduar. Aty janë politika dhe krimi në sipërmarrje të përbashkët, duke përcaktuar veprime, duke ndarë përfitime e duke dhënë urdhra njëri-tjetrit.
Kështu që do të krijohet Komisioni i të Vërtetës, dhe dosjet ato që po quhen ‘Metamorfoza’ ato do të zbardhen që ti marrë vesh çdo shqiptar.
Cili politikan me lidhjet e tij me bandat, ka përfituar, ka ndihmuar vrasësit, ka marrë pjesë në vrasje, ka marrë pjesë në trafiqe, etj”, deklaroi Berisha.