Ministria e Jashtme ruse tha të shtunën se Ukraina dhe Britania “nuk kishin vend” për bashkëpunim në Detin Azov, duke komentuar një marrëveshje të re partneriteti 100-vjeçare midis Kievit dhe Londrës, të cilën liderët e dy vendeve njoftuan të enjten.
Kremlini tha të premten se çdo vendosje e aseteve ushtarake britanike në Ukrainë sipas marrëveshjes së re do të ishte shqetësuese për Moskën, veçanërisht në Detin Azov, të cilin Rusia e konsideron të sajën, dhe ministria u bëri jehonë këtyre komenteve.
“Çdo pretendim për këtë zonë ujore është një ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të vendit tonë dhe do të rezistohet me vendosmëri,” tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova në një koment të postuar në faqen e internetit të ministrisë.
Deti Azov kufizohet me Rusinë jugperëndimore, pjesë të Ukrainës jugore që Rusia ka pushtuar në luftë dhe gadishullin e Krimesë që Moska e aneksoi nga Ukraina në 2014.
Zakharova tha se vetë marrëveshja ishte “e pavlerë” për Rusinë, duke e quajtur atë “vetëm një fushatë tjetër PR” të Ukrainës. Zakharova e përshkroi Detin Azov si “detin e brendshëm” të Rusisë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer u zotua të enjten të punojë me Ukrainën dhe aleatët për garanci të forta sigurie nëse negociohet një armëpushim me Rusinë, duke i ofruar më shumë mbështetje Presidentit Volodymyr Zelenskiy me një marrëveshje partneriteti 100-vjeçar.
Marrëveshja, e shpallur në Kiev gjatë vizitës së parë të Starmer si kryeministër, mbuloi disa fusha, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit ushtarak për të forcuar sigurinë në Detin Baltik, Detin e Zi dhe Detin Azov.