Shqiptarët në Luginë të shtypur nga Serbia, të harruar dhe lënë anash nga ndërkombëtarët

by informim peje

Procesi i integrimit të shqiptarëve në Serbi, marrëveshje kjo e arritur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Beogradit zyrtar, që filloi në vitin 2001, po përballet me sfida të mëdha, veçanërisht gjatë dhjetë viteve të fundit me ardhjen në pushtet të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, në një intervistë për Ekonomia Online thekson se ngecjet kryesore lidhen me diskriminimin shtetëror që Serbia është duke u bërë shqiptarëve atje, si dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.

banner

Kamberi ka thënë se integrimi i shqiptarëve të Luginës është lënë anash edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai thekson se dy janë problemet kryesore që kanë ndikuar në ngecjen e integrimit. Së pari, përmend mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore që janë jashtë kompetencës së komunave të Luginës, ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Së dyti, ai ka theksuar zhvillimin ekonomik të komunave të tjera në Serbi, e komunat me shumica shqiptare sipas tij, mbesin komunat më të pa zhvilluar në Republikën e Serbisë.

“Procesi i integrimit të shqiptarëve në Serbi që gati formalisht ka filluar 2001, pas luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare për Preshve, Bujanoci dhe Medvegja dhe që karakterizohet gati me tri marrëveshje midis qeverise së Serbisë dhe shqiptarëve të Luginës atëherë. Ka ngecur veçanërisht në 10 vjeçarin e fundit me ardhjen në pushtet të presidentit aktual Aleksandër Vuçiq. Me gjithë disa të arritura në fillim të këtij procesi që kishim filluar edhe me integrimin e shqiptarëve që morën pushtetin në Komunën e Bujanoci, ose integrimin në policinë lokale dhe kishte filluar një proces, megjithatë gjatë 10 viteve të fundit kemi një ngecje serioze të integrimit të shqiptareve dhe të procesit të dialogut që ekziston atje zyrtarisht ende mes shqiptareve të Luginës dhe Beogradit zyrtar. Karakterizohet me dy ngecje kryesore, njëra është mos përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike që janë jashtë kompetencave të komunave. Pra, ende sot në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në territorin e këtyre komunave ekzistojnë institucione ku nuk ka asnjë shqiptarë të punësuar, edhe pse ata janë shumicë. E mos të flasim në institucione që janë përtej këtyre komunave. Ngecja e dytë kryesore faktikisht është ngecja që ka të bëjë më çështjen e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit. Presheva, Bujanoci dhe Presheva, mbesin pothuajse komunat më të pa zhvilluar në Republikën e Serbisë. Shifrat flasin që pjesëtar e komunitetit shqiptar janë më së shumti të pa punësuar dhe nuk kanë qasje në punësim. Këto janë dy problemet kryesore të diskriminimit shtetëror”, ka thënë ajo.

Kamberi bëri thirrje për një angazhim më serioz nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, duke theksuar nevojën për një qasje më konsensuale dhe dinamike.

Ai sugjeron që Prishtina dhe Tirana duhet të ushtrojnë ndikim te ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian dhe SHBA, për të rritur presionin mbi Beogradin për zbatimin e marrëveshjeve, kështu duke i dhënë fund diskriminimit të shqiptarëve në Serbi.

“Qeveritë e një pas njëshme të Kosovës kanë mundur të jenë më dinamike në kuptimin e para diplomatik, dhe në çfarë kuptimi është që të përdorin ndikimin e vetë tek ndërmjetësuesit, te BE, SHBA që faktikisht ato të rrisin presionin ndaj Beogradit zyrtar për t’i zbatuar marrëveshjet në Luginë. Sepse këtu kemi problem me mos zbatim të marrëveshjeve dhe me mos zbatim të zotimeve nga Beogradi zyrtar. Edhe pse vështirë, Qeveritë e Kosovës kanë mundur që të përdorin këtë në dialogun Kosovë-Serbi me rritjen e presionit ndaj Beogradit zyrtar për të integrimin e shqiptareve në Serbi. Të rritet presioni diplomatik që nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, përderisa nuk ka përmirësim të pozitës së shqiptareve në Luginë të Preshevës. Kjo qeveri një gjë pozitive që ka bërë është që ka buxhetuar çështjen e Luginës së Preshevës, por pastaj në anën tjetër duket që kjo politik nuk ka mjaftuar për të përmirësuar pozitën e shqiptareve”tha Kamberi. 

“Shqiptaret e Luginës së Preshevës do të kishin nevojë për një qasje pak më serioze të dy qeverive edhe në Tiranë edhe në Prishtinë. Edhe me një qasje pak më konsesuale e cila pastaj do të shihte faktikisht se si do të mund të ndikonte që të zbatoheshin marrëveshjet. Problemi aktual është që zbatimi i marrëveshjeve më nuk është temë, nuk është as te faktori ndërkombëtar, si dhe Beogradi zyrtar nuk është që pritet shumë për t’i zbatuar marrëveshjet dhe obligimet që i ka ndaj shqiptareve të Luginës së Preshevës”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka kritikuar qasjen e ndërkombëtarëve, duke vënë në dukje se demokratizimi i Serbisë dhe të drejtat e pakicave janë lënë në hije për shkak të prioriteteve gjeopolitike dhe çështjeve të sigurisë.

Kamberi bëri thirrje për një qasje të balancuar ndërkombëtare, duke theksuar se duhet të ketë të njëjtën dinamikë dhe vëmendje, si për çështjen e serbëve në Kosovë ashtu edhe për integrimin e shqiptarëve në Serbi. Pa këtë angazhim, ai paralajmëron se momenti për shqiptarët në Luginë po humbet, duke i lënë ata të përballen me diskriminim dhe mungesë zhvillimi.

“Mendoj që një kohë ndërkombëtaret e kanë lënë me një anë çështjen e demokratizimit të Serbisë, që ndërlidhet me çështjen e të drejtave të minoriteteve apo të pakicave në Serbi. Sepse kishin prioritete të tjera që kishin të bënin me gjeopolitikën, me çështjen e sigurisë dhe në një mënyrë është toleruar një pushtet i cili nuk jep shumë rëndësi të drejtave të njeriut dhe demokracisë, siç është pushteti i Aleksandër Vuçiqit. Në këtë drejtim besoj që për bashkësinë ndërkombëtare ka qenë me prioritet normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe rezultateve në dialogun e Brukselit”, vazhdon ai.

Kamberi e sheh të domosdoshme rikthimin në binarët e duhur që në njërën anë të ketë rezultat në procesin e normalizimit marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe që të rikthehen në çështjen e integrimit të serbeve në Kosovë. Por, kjo sipas tij do të duhej që të ketë edhe një farë lloj dinamike të përbashkët edhe për integrimin e shqiptarëve në Serbi.

“Bashkësia ndërkombëtare nga ajo që ka treguar është se nuk është e gatshme, për reciprocitete, ajo nuk ka treguar gatishmëri që të kemi status të njëjtë të serbëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në Serbi për shkak që Kosova është në plan të Ahtisarit. Do të duhej që bashkësia ndërkombëtare njëjte siç e ka dinamikën për çështjen e integrimit të serbëve në Kosovë, të ketë një dinamik edhe një vëmendje edhe për çështjen e integrimit të shqiptarëve në Serbi. Duket që nuk është vëmendja e njëjtë, duket që momenti është humbur sa i përket shqiptareve në Luginë dhe që vëmendja është shumë fish më e orientuar drejt integrimit të serbëve të Kosovës”, ka thënë ai. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy