Nga: Afrim FANDA
Në një takim të para ca viteve, në restorant Aquarius në Strugë, kur besimi im në LVV më ishte lëkundur por nuk e kisha humbur akoma, e pyeta i pezmatuar Bekim Qokun se cila ishte arsyeja që ai si përfaqësues i LVV në ish IRJM, ishte lidhur me neootomanë erdoganistë, eksponentë të islamit politik si Afrim Gashi me shokë. Ai mu përgjigj (tani besoj se e kishte me sinqeritet) se nuk ishte vendimi tij , por i Albin Kurtit. “Njihen, dhe janë miq që nga viti 2012 me Afrim Gashin… unë jam thjesht ushtar i partisë, zbatoj vetëm urdhëra” ishte përgigjja e Bekim Qokut.
Zhvillimet e fundit politike në ish IRJM dëshmuan qartë se çfar i lidh Albin Kurtin dhe Bekim Qokun me Afrim Gashin, Bilall Kasamin, izet Mexhitin dhe Arben Taravarin – paratë e Erdoganit dhe gatishmëria për të manipuluar me shqiptarët!
Ndaj Bekim Qoku tenton të manipulojë shqiptarët në ish IRJM dhe Kosovë, për të imponuar bindjen se edhe të burgosurit politik i nënshtrohen kultit të personalitetit të Albin Kurtit, me bindje të verbër dhe pa asnjë vërejtje për veprimet e tij politike, në veçanti në ish IRJM – privilegje që në këto 100 vitet e fundit gëzonte vetëm Enver Hoxha.
Nisur nga kjo, une si ish i burgosur politik, detyrohem të deklaroj me plot përgjegësi se nuk përkrah lojërat e rrezikshme të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes me islamin politik, në një vijë me synimet neootomane të Erdoganit në territoret shqiptare, dhe në përgjithësi në Gadishullin Ilirik. Akoma më shumë, e dënoj ashpër përkrahjen e Albin Kurtit dhe LVV-së në talebanizimin e qyteteve shqiptare në ish IRJM.
Do doja t’i besoj shokut tim të burgut, Shpëtim Pollozhanit, dhe të ndiqja këshillat e tij për të investuar edhe unë kapitalin tim politik në “Bankën popullore Kurti”, sikur ai të na sqaronte të gjithëve, se çfarë kanë ai dhe “Banka popullore e Kurtit” të përbashkët me hoxhen e Strugës, Salim Sulejmanin, hoxhën e Llërcës Adnan Azizin, Afrim Gashin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin anëtarë të Bordit Këshillëdhënës të Qendrës për Civilizim Islam, sot të gjithë bashkëpartiakë të Bekim Qokut dhe Albin Kurtit në V-LEN! Të na sqaronte se çfarë kanë ai dhe Albin Kurti të përbashkët me antishqipartin histerit të VMRO-së, Kristijan Mickovskit!
Do të “investoja” edhe unë kapitalin tim politik në “Bankën popullore Kurti”, sikur të mos dija për kapitalin e Erdoganit që nga viti 2013 e në vazhdim në këtë “bankë”! Sikur të mos dija se ku ka kapital të Erdoganit, aty diku është edhe kapitali i Putinit. Thjesht nuk u besoj bankave me kapital turk dhe rus, por vetëm atyre të perëndimit!
Po, jam i palëkundur në qëndrimin se duhet luftuar pa kompromis korrupsioni dhe duhet kthyer pa kompromise sovraniteti mbi gjithë territorin e Kosovës, me theks në veriun e Kosovës. Sepse jam i vetëdishëm se veriu i Kosovës përfaqëson shumë më shumë se 1.200 km2 territor shqiptar. Por Albin Kurti nuk ka mandat për ta bërë këtë duke falur Erdoganit dhe Mickovskit, e me kte edhe Vuçiçit, territoret e shqiptarëve në “Maqedoninë Perëndimore”. Falja e territoreve në shkëmbim të parave dhe investimeve përfaqëson tradhti kombëtare, dhe unë nuk mështes individë dhe parti të tilla!
.Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e Gazetës “Informim.net”.