Policia ka njoftuar se ka përfunduar operacioni i koduar “Shpërndarësi” gjatë të cilit është sekuestruar kokainë në vlerë prej 30 mijë eurove.
“Zhvillimi i një plani taktik ka filluar në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj me që rast është ndaluar vetura Mercedes ngjyrë e bardhë me targa vendore me vozitës (Sh.S.), ku gjatë kontrollit në trup i është gjetur një qese me narkotik të llojit Kokainë me peshë 5.35 gramë. Plani ka vazhduar në rrugën ”Vicanum” ku është ndalur vetura Audi Q8 me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari (Xh.S.), ku gjatë kontrollit të tij dhe veturës në një vend të fshehte janë gjetur 21 paketime me substancë të dyshuar narkotike të dyshuar si kokainë me peshë 20.1 gramë. Në të njëjtin lokacion është ndaluar edhe vetura Volvo ngjyrë hiri me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari (F. S.), i cili është shoqëruar në stacion policor si i implikuar në rast.”
Pas veprimeve fillestare në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda në Prishtinë është realizuar një bastisje në shtëpitë e të dyshuarve në rrugën “Dëshmoret e Marecit” në Prishtinë ku gjatë kontrollit ka rezultuar me gjetjen e provave si në vijim:
– Në njërën shtëpi në banjo janë gjetur 219 qese (doza) me narkotikë të dyshuar si Kokainë, me peshë 114.4 gramë, të cilat ishin të gatshme për shitje.
– Në veturën Phaeton ngjyrë e zezë pronë e te dyshuarit Xh.S., nën timon është gjetur një paketim me narkotikë të llojit Kokainë me peshë 171.5 gramë .
– Dy revole me numra serik, me dy karikator dhe 9 fishek.
– Një granatë dore model F1 dhe 29 fishek kalibrash të ndryshëm.
– Tri vetura të dyshuara Audi Q8, Phaeton dhe Mercedes, të cilat janë përdorur për fshehje dhe shpërndarje të narkotikëve.
– Para të gatshme në vlerë 7900 Euro dhe 100 Dollar amerikan.
– Katër (4) telefona celular.
– Dy DVR
Në Bastisjen e lokacionit të tretë në fshatin Suhodoll të Lipjanit në një garazh në pronësi të dyshuarit (Xh.S.) është gjetur një veturë e dyshuar Golf 7 ngjyrë e kaltër me targa vendore që dyshohet se është e përfshirë në një rast “Vrasje në tentativë”.
“Të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga antidroga e Policisës në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive kriminale, me fokus të veçantë në parandalimin e trafikimit të narkotikëve dhe ruajtjen e sigurisë publike.”