Sot, në Davos, me sloganin “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente” fillon takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) .
Mbledhja e parë në kuadër të forumit do të jetë Përshtypjet e para: Dita e Inaugurimit (First Impressions: Inauguration Day), e cila i kushtohet inaugurimit të Presidentit të ri të SHBA, Donald Trump.
Sot do të ndahen edhe çmimet “Crystal” për drejtues të fushës së kulturës.
WEF zgjat deri më 24 janar dhe siç njoftohet në faqen e WEF-it, ndër liderët politikë pjesëmarrës janë presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump, i cili do të marrë pjesë me video link, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen si dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, transmeton Paparaci.
Takimi Vjetor 2025 mbledh liderët globalë për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.
“Këto përfshijnë përgjigjen ndaj goditjeve gjeopolitike, stimulimin e rritjes për të përmirësuar standardet e jetesës dhe menaxhimin e një tranzicioni të drejtë dhe gjithëpërfshirës të energjisë”, sipas faqes së internetit të Forumit Ekonomik Botëror.
Themeluesi dhe kryetari i bordit të Forumit Ekonomik Botëror Klaus Schwab ka deklaruar se Davos është unik në atë që mbledh pothuajse 3000 personalitete nga bota e politikës, biznesit dhe shoqërisë civile për të përballuar sfidat e një bote në transformim të thellë.
“Takimi Vjetor i vitit 2025 do të nxisë një frymë bashkëpunimi dhe optimizmi konstruktiv me qëllimin për të formësuar Epokën Inteligjente që vjen në një mënyrë më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, ka shtuar Schwab.
Takimi i 55-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror do të fokusohet në pesë fusha tematike thelbësore, të ndërlidhura, secila prej të cilave është kritike për një të ardhme të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të begatë, ia thënë ai.
Njësia tematike Ri-mendimi për Rritjen (Reimagining Growth) do të eksplorojë mundësi të reja për rritje ekonomike, duke përfshirë inovacionin e drejtuar nga teknologjia.
Industritë në Epokën Inteligjente (Industries in the Intelligent Age) do të shqyrtojnë se si biznesi mund të lëvizë nëpër ndryshimet teknologjike dhe dinamikat e reja të industrisë.
Investimi në Njerëzit (Investing in People) do të adresojë nevojën për zhvillimin e fuqisë punëtore, rikualifikimin dhe krijimin e vendeve të punës në sektorët në zhvillim.
Mbrojtja e Planetit (Safeguarding the Planet) do të fokusohet në rritjen e zgjidhjeve klimatike dhe natyrore dhe avancimin e përpjekjeve për dekarbonizimin.