Çdo fillim muaji, në llogarinë bankare të Arta Morinës deponohet rroga paraprake për kinse punën e saj si arsimtare. Por Arta Morina nuk e hedh këmbën jashtë oborrit të shtëpisë së saj, e as që merr mundimin të afrohet deri te shkolla ku thuhet se ajo punon. Rrjedhimisht, ditët e saj, qofshin të verës apo të dimrit, ajo i kalon në shtëpi.
Ajo nuk ka pse të punojë për të marrë pagën, ngase të qenit zyrtare e Vetëvendosjes, e bën atë me pagë pa punuar fare.
Madje, edhe fakti që vëllai i saj mban pozitën e drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Kamenicës, po i sjell dobi jo vetëm asaj, por tërë familjes Morina.
Kontrata e saj për mësimdhënie në shkollën “Xhavit Ahmeti” në Hodonoc të Kamenicës e nënshkroi në muajin shtator të vitit 2024.
Ani pse askush nuk e ka parë të hyjë e të dalë nga kjo shkollë që pesë muaj, nga rehatia e shtëpisë Arta, po pranon pagën dhe po pret që kolegia e saj, Pashije Basha, të dalë në pension, e ajo të vazhdojë punën në vendin e saj.
Nxënësit në këtë shkollë nuk kanë dëgjuar kurrë për Artën, pasi si mësimdhënëse të gjuhës shqipe ata njohin vetëm një emër – atë të Pashije Bashës, e cila mban çdo ditë mësim me ta.
Pas kamerës së KIKS-it, këta vogëlushë mohojnë të kenë parë ndonjëherë mësuesen tjetër. Për ekzistencën e mësueses ‘fantazmë’, e cila po paguhet, nuk di gjë as punëtori teknik i kësaj shkolle, i cili punon aty prej 21 vitesh.
Në listën e stafit të kësaj shkolle, emrin e Artës nuk mund ta gjesh, e për ekzistencën e saj nuk di gjë dhe nuk e ka parë asnjëherë as drejtoresha e kësaj shkolle.
Në një lidhje telefonike me KIKS-in, përveç Pashijes, ajo mohon të ketë ndonjë arsimtare tjetër që nxënësve të shkollës që ajo udhëheq po ua mëson gjuhën shqipe.
Ekipi i KIKS-it u fut edhe brenda sallës së arsimtarëve të kësaj shkolle për të gjetur ndonjë shenjë të mësueses që deri më tani mori pesë paga për punën në këtë shkollë, por nuk gjeti asnjë shenjë të saj
Emri i Artës nuk është në asnjë prej listave të arsimtarëve, e as në dollapët ku ata vendosin mjetet e punës dhe ditarët.