Abdixhiku te Familja Rugova: Presidenti na mësoi rëndësinë e miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike

by Nexhat

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit Ibrahim Rugova tha se ai me vizionin e tij krijoi platformën politike që udhëhoqi popullin e Kosovës drejt ndërtimit të shtetit.

Ai tha se Rugova “na mësoi rëndësinë e unitetit, këmbënguljes dhe miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike dhe botën demokratike, vlera këto që na udhëzojnë e i japin kah rrugëtimit tonë të sotëm”.

banner

“Sot, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, përulemi me respekt e mirënjohje përballë trashëgimisë së tij monumentale, dhe kujtojmë jetën dhe veprën e themeltarit të shtetit të Kosovës dhe prijësit historik të vendit që udhëhoqi popullin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Më 21 janar të vitit 2006, Kosova humbi arkitektin e saj themeltar, njeriun që me urtësinë dhe vizionin e tij e drejtoi vendin tonë në kohët më të vështira. Ibrahim Rugova, themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe udhëheqës i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, qëndroi si shtyllë e fortë e përpjekjeve tona për një shtet të lirë dhe të barabartë në mesin e familjes euroatlantike”.

Abdixhiku shtoi se përkushtimi i tij ndaj vendit e popullit të tij e shndërroi atë në një simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore.

“Vizionar e i palëkundur, ai krijoi platformën politike që udhëhoqi popullin tonë drejt ndërtimit të shtetit. Presidenti Rugova, me veprën e tij unike, na mësoi rëndësinë e unitetit, këmbënguljes dhe miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike dhe botën demokratike, vlera këto që na udhëzojnë e i japin kah rrugëtimit tonë të sotëm drejt të ardhmes me moton: Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO dhe në BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të! Sot, teksa përulemi për të nderuar kujtimin e tij, reflektojmë mbi gjurmët e tij të pashlyeshme në historinë e vendit dhe sot, më shumë se kurrë, ndjejmë nevojën për ta mbajtur gjallë frymën e tij në çdo hap që ndërmarrim për të ardhmen e Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet figura më e madhe politike e historisë sonë, një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova! Presidenti ka vetëm ditëlindje!”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy